Arbëri

Ambasadori rus në Beograd kërkon “zgjidhje kompromisi dhe kreative” mes Kosovës e Serbisë

Foto: Ilustrim

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, ka thënë se do të përpiqet që “krahë për krahë” me Serbinë, të kthejë të drejtën ndërkombëtare në rajon, njëherë e përgjithmonë, e mbi të gjitha çështjen e Kosovës.

Ai shtoi se “kthimin e së drejtës ndërkombëtare në rajon” e sheh si detyrë kryesore si ambasador në Serbi, dhe të kontribuojë në stabilizimin e rajonit, duke pasur parasysh përvojën e pjesëmarrjes në negociatat ndërkombëtare të Dejtonit dhe negociatat për statusin e Kosovës.

Sipas tij, Rusia do të mbështesë “zgjidhje kompromisi dhe kreative” të pranueshme nga Prishtina dhe Beogradi dhe të cilën Rusia do të mund ta mbronte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Zgjidhja është e mundshme vetëm në kuadër të kompromisit dhe partnerët tanë Perëndimorë duhet të ndryshojnë qëndrim. Dëshmi për këtë janë ngjarjet e fundit në Kosovës dhe situata ndonjëherë është shumë e tensionuar. Tani flas në mënyrë shumë diplomatike, por situata është vërtetë shumë shqetësuese. Këtë e them në emrin tim, duke marrë parasysh përvojën e mëparshme”, tha Bocan-Harçenko për agjencinë serbe “Tanjug”.

Ambasadori i ri rus në Beograd ka vlerësuar se, nëse nuk ka zgjidhje (mes Kosovës dhe Serbisë), mund të vijë deri tek destabilizimi i rajonit sepse “moszgjidhja e çështjes së Kosovës është barrë për Serbinë, por edhe për rajonin në tërësi”. Ai ka thënë po ashtu se beson se do të vijë deri tek një zgjidhje ligjore ndërkombëtare, ndonëse jo shpejt, transmeton Koha.net.

Bocan-Harçenko deklaroi se Rusia aktualisht është e gatshme të kontribuojë në rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë.

“Nëse Serbia kërkon që Rusia t’i bashkohet ndonjë grupi shtetesh – mund t’i bashkohemi, përse jo, por me qëndrimin tonë që duhet respektuar, në përputhje me respektimin e Rezolutës 1244. Ndryshe ne nuk përfshihemi, dhe mendojmë se as Serbia nuk përfshihet”, tha ai.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut nuk është i mundshëm nëse bashkësia ndërkombëtare nuk bën presion ndaj Prishtinës, ndërsa ka theksuar se “Prishtina është fajtore për dështimin e dialogut”, ndërsa, sipas tij, “BE-ja nuk ka bërë presion të mjaftueshëm që Prishtina t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara, siç është Asociacioni i komunave serbe”.

Bocan-Harçenko ka vlerësuar se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë është e mundshme nëse të dyja palët kërkojnë kompromis dhe kanë vullnetin që të marrin parasysh interesin edhe të palës tjetër dhe nëse ka ndërhyrje dhe ndihmë qëllimmirë ndërkombëtare, “por se problemi është se një numër vendesh vendosin disa rregulla fiktive në rastin e Kosovës që nuk kanë lidhjet me të drejtën ndërkombëtare”.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse demarkacioni do të ishte kompromis, ambasadori rus në Beograd tha se “qasja kreative është e domosdoshme kur kërkohet kompromisi, por rëndësi ka marrëveshja mes Beogradit e Prishtinës sepse në atë rast, mbështetja nga KS i OKB-së është e mundshme”.