Arbëri

Telekomi do t’ia mundësojë KTV-së qasjen në dokumente zyrtare, pas kërkesës së Avokatit të Popullit

Vitin e kaluar, Kohavisioni kishte raportuar për shumën e lartë të qirave që paguan Telekomi për objektet që i shfrytëzon në Prishtinë.

Që nga ajo kohë, gazetarja Ardiana Thaçi – Mehmeti kishte kërkuar qasje në dokumente publike, gjë e cila i është mohuar vazhdimisht nga ana e Telekomit, raporton KTV.

Në këtë rast, Thaçi i është drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit për ndihmë.

Një javë më parë, IAP ka dërguar një letër-rekomandim drejt Telekomit.

Aty thuhet se Telekomi, në bazë të ligjit, duhet t’i ofrojë gazetares së Kohavisionit qasje në të gjitha dokumentet që ka kërkuar, në një afat prej 30 ditësh.

Sipas Thaçit, kjo tregon që gazetarët kanë ku të drejtohen për ndihmë, në lidhje me problemet e tilla.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe shefin ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin.

Ky i fundit, përmes telefonit, ka thënë që gazetares do t’i mundësohet qasja në dokumentet e kërkuara.

Ardiana Thaçi – Mehmeti, kishte kërkuar qasje edhe në kontratën që Telekomi e ka nënshkruar me kompaninë për marketing “Flexus”, kërkesë kjo që po ashtu është injoruar.