Arbëri

Lluka s’përjashton mundësinë e koalicionit parazgjedhor AAK-Nisma-AKR-PSD

Foto: Koha

Valdrin Lluka, ministër në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, nuk ka përjashtuar mundësinë që partia e tij AKR, të hyjë në koalicion parazgjedhor me AAK-në, Nismën dhe PSD-në.

Sipas tij, ky bashkim do ta bënte fitues koalicionin e mundshëm.

“Një koalicion i tillë mund të jetë i mundshëm sepse edhe programet janë të ngjashme, por me rëndësi është që këto parti kanë momentum pozitiv në këtë moment”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur nëse ky koalicion do fitonte edhe përballë koalicionit të mundshëm mes LDK-së e VV-së, Lluka ka thënë se nuk pret koalicion të tillë “sepse ideologjitë janë ndryshe dhe kryeministrin e kanë problem”.

Ai ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të hyjë edhe si e vetme në zgjedhje, teksa ka shtuar se s’kanë vija të kuqe ndaj asnjë partie. Ka shtuar veçse kanë pikëpamje më ndryshe në disa aspekte me Vetëvendosjen.

Lluka ka thënë se ka pritur që zgjedhje të ketë në pranverë dhe jo sivjet. Ai ka paralajmëruar aderime në AKR “të personave të pëlqyer në shoqëri”.

Lluka: Labinot Tahiri e Agim Bahtiri janë në AKR

Pavarësisht se publikisht janë deklaruar ndryshe, sipas Llukës, deputeti Labinot Tahiri dhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri janë akoma pjesë e AKR-së. Ai ka thënë se të dy janë të pëlqyer nga elektorati dhe se asnjëri prej tyre nuk është larguar nga partia.

“Labi është pjesë e AKR-së. Është i pëlqyer në AKR. Ka pas ankesa, dhe ato janë prezente kudo. Te ne si parti liberale dalin më shumë, por u jepet hapësirë secilit të flasë atë që mendon. Labi do të qëndrojë në AKR. Agimi është mik shumë i mirë. Ka edhe ai shpesh mospajtime me pjesë nga strukturat e brendshme, por kjo s’do të thotë që do të largohet. Ka elektorat mjaft të mirë ku AKR-ja është shumë mirë e përfaqësuar. Pjesa e tij është sikur ajo e Labit. AKR-ja e ka bërë kryetar të Mitrovicës dhe e ka fuqizuar shumë, e s’besoj se do ta lërë prapa”, ka thënë më tej Lluka.

Lluka i ka dalë në mbrojtje shefit të tij në parti, Behgjet Pacolli, që edhe pse ishte ministër i Jashtëm për gati dy vjet nuk i solli sukses Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Pacolli ka bërë punë të mirë sepse “stafi diplomatik i Kosovës tash është më i mirë se kurrë”. Për njohjet ka thënë se ka qenë vështirë për shkak të “përballjes me luftën agresive të një shteti si Serbia”.

Ai ka folur edhe për emërimin e ish-këshilltarëve të Pacollit në konsuj e pozita të tjera të larta diplomatike. Ka thënë se askush nuk ia mohon një këshilltari të drejtën të kandidojë dhe se për çdo gradim është sistemi i filtrimit.