Arbëri

Diplomon gjenerata e 41-të e kadetëve të SHKK-së

Descriptive Text

Ka diplomuar gjenerata e 41-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Në këtë ceremoni, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka theksuar se pjesë e trashëgimisë së tij, krahas ligjeve vitale për qytetarët, është pikërisht avancimi në sistemin korrektues të Kosovës.

“Infrastruktura ka shënuar përmirësim të plotë dhe vazhdon të përmirësohet edhe sot. Qendra të reja janë hapur e ato të vjetrat janë rinovuar. Kemi menaxhim efikas të procedurave standarde të veprimit, dhe kemi ulur për herë të parë në një nivel të plotë, dukuritë negative brenda burgjeve. Sot Qendrat Korrektuese, nuk janë as për së afërmi ato që kanë qenë dikur, dhe të njëjtat i kemi vendosur në një kurs të pakthyeshëm drejt avancimit, standardeve dhe respektimit të ligjit”, ka thënë ai.

Ministri ka uruar gjeneratën e re të kadetëve, duke kërkuar nga ta që të përkushtohen në zbatimin e ligjit.

“Ngjashëm do të definohet nga përkushtimi juaj për t’i dhënë njeriut dinjitetin që i takon, pavarësisht faktit se ai mbahet në korrektim. Dhe në mes të kësaj pune, përkushtimi juaj, është ai që do bëjë diferencën, në rast se Qendrat tona Korrektuese do jenë referencë e sundimit të ligjit, apo degradimit të tij”, ka thënë Tahiri.

Ai kërkoi nga kadetët që të japin maksimumin në mënyrë që, siç tha ai, “këtij segmenti të rëndësishëm të zbatimit të ligjit t’i jepni dimension kuptimplotë, efikas e të përgjegjshëm”.