Arbëri

Telekomi s’gjen gjuhë të përbashkët me Z-Mobilen, pritet t’ia shkëpus kontratën [dokument]

Foto: Koha

Telekomi i Kosovës nuk ka arritur deri më tani të gjejë gjuhë të përbashkët me Dardafon-in në lidhje me kontratën e re mes këtyre dy kompanive.

Kjo është konstatuar në mbledhjen e djeshme të mbajtur të Bordit të Drejtorëve të Telekomit, vendimin e së cilës mbledhje e ka siguruar KTV-ja.

Bordi në këtë mbledhje, në vendimin e tij, e ka autorizuar Kryeshefin Ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin, që të shpall publikisht “përfundimin e pasuksesshëm të negociatave dhe përfundimin definitiv të çdo raporti kontraktues mes Telekomit dhe Dardafon-it”.

Por, në pikën 1 të këtij vendimi, thuhet se përfundimin e pasuksesshëm të negociatave, Kryeshefi Istrefi do ta bëjë tek më datën 31 korrik (nesër), ndërsa thuhet po ashtu se ky vendim i Bordit të Drejtorëve hyn në fuqi më 30 korrik në orën 24:00.

Situatat në të cilat Telekomi pritet të prish kontratën me Dardafon-in janë në rast të “mospërgjigjes/heshtjes së plotë eventuale të Dardafon-it deri më datën 30 korrik 2019 ndaj ofertës së Telekomit të datës 18 korrik, 2019”.

Pastaj, në situatat e “çdo tentative eventuale dhe në çfarëdo forme, qoftë nga ana e Dardafon-it, përfshi edhe formën e Kundërofertës eventuale nga ana e tyre, me qëllim të modifikimit/ndryshimit/plotësimit të ofertës së datës 18 korrik 2019 me termat, të cilat do të jenë më të disfavorshme për interesat e Telekomit se sa termat e formuluara në këtë ofertë, ose, çfarëdo tentative të Dardafon-it që për çfarëdo arsye të shtynë/prolongon afatin e negocimit përtej datës 30 korrik, 2019”, raporton Koha.net.

Më tej, në vendim theksohet se Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, do ta shpallë “publikisht përfundimin e pasuksesshëm të negociatave dhe përfundimin definitiv të çdo raporti kontraktues mes Telekomit dhe Dardafon-it me datën 31 korrik 2019 dhe në të njëjtën datë do ta njoftojë zyrtarisht edhe Dardafon-in”.

Në rast të mos-arritjes së marrëveshjes, vendimi thotë se “Kryeshefi Ekzekutiv do të ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme në kuptimin e përmbushjes të vetëm atyre detyrimeve që rrjedhin nga neni 13 i ‘Marrëveshjes për mbështetje’ të datës 16 janar, 2009, e që i referohet ‘Periudhës transitore’”.

“Ky vendim, i cili i jep autorizime Kryeshefit Ekzekutiv të përcaktuara si më lartë, hyn në fuqi më datën 30 korrik, 2019 në orën 24:00”, përfundon pika e fundit e vendimit të marrë më 29 korrik, 2019, në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Edhe Kohavisioni ka raportuar dje se kontrata mes këtyre dy kompanive do të shkëputet.

Image