Arbëri

Kurti: Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, Kosova e pasluftës s’po e mbron UÇK-në

Foto: Ilustrim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të Tomor Morinës nga policia maqedonase , për të cilin u refuzua kërkesa e lirimit, dhe thotë se ende s’ka reagim shtetëror për arrestimin e tij.

Kurti ka akuzuar institucionet se po bëjnë trajtim të diferencuar të ushtarëve. Për dikë thotë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, e në këtë rast, për Morinën, s’pati reagim si duhet.

“Këto ditë, gjatë një udhëtimi pune jashtë vendit, mora vesh nga mediet se është ndaluar në Maqedoni të Veriut ish-luftëtari i UÇK-së, Tomorr Morina. Ndalimi i tij ka ardhur si pasojë e fletarrestit të lëshuar nga Serbia, kundër luftëtarëve tanë çlirimtarë. Tomorri është ndër të shumtë ushtarë të UÇK-së të cilët janë arrestuar dhe disa edhe kanë mbajtur vite burg me fletarreste nga Serbia, e për shumë prej të cilëve qytetarët tanë kanë dëgjuar vetëm kur janë liruar nga burgu, ama pushtetarët ndërkohë kanë negociuar me Serbinë, pa e ngritur kurrë si kusht këtë çështje”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se karshi fletarresteve sistematike të Serbisë, ka pasur gjithnjë reagime të improvizuara të shtetit të Kosovës.

“Teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet tona reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit. Për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomorr Morinën ende s’ka reagim shtetëror, edhe pse ai është në paraprocedurë për ekstradim. Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, vetë Kosova e pasluftës nuk po e mbron UÇK-në”, ka shkruar Kurti.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të ushtarit të UÇK-së dhe qytetarit të Republikës së Kosovës, Tomorr Morina. I bëjmë thirrje institucioneve tona diplomatike e qeveritare të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomorri sa më shpejt të lirohet”, shkruan ai.

Image