Arbëri

Kusari-Lila: Ish-kryeministri Haradinaj bëri kalkulime para se të nisej për Hagë

Descriptive Text

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se vendimi i Ramush Haradinajt, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për të shkuar në Hagë, është kalkulim i tij.

Në një bisedë për Koha.net, ajo thotë se pas dorëheqjes së tij, Haradinaj është dashur t’ia lëshojë vendin njërit prej tre zëvendëskryeministrave, e që Qeveria e Kosovës të funksionojë vetëm teknikisht e jo të marrë vendime kushtetuese.

“Ish-Kryeministri Haradinaj duket qartë se ka bërë një kalkulim tjetër me ftesën për intervistim në Hagë prej asaj çfarë deklaroi publikisht. Ai publikisht deklaroi se në Hagë në intervistë do të shkojë si qytetar i thjeshtë i Kosovës e jo si Kryeministër, ndërsa e pamë se në Hagë shkoi si Kryeministër i dorëhequr me kompetenca të cilat mendoi t’i mbajë edhe pas kthimit në Kosovë. Është e vërtetë se është hera e parë që një Kryeministër dorëhiqet nga posti i tij në Kosovë, por gjithashtu është e vërtetë se Kushtetuta e parasheh se pas dorëheqjes së Kryeministrit Qeveria bie dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Ish - kryeministri është dashur të lë njërin nga Zv/kryeministrat në detyrë të tij dhe qeveria vetëm teknikisht të funksionojë pa asnjë vendim tjetër të qeverisë me kapacitet të plotë. Kjo u pa se ishte një hyrje në fushatë zgjedhore që synoi të aktivizojë sentimentin popullor për personalitetin e ish-Kryeministrit”, deklaroi Kusari-Lila.

Tutje, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila, ka komentuar edhe gjendjen aktuale politike qysh prej dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Si shumë deputetë tjerë, edhe ajo thotë se tashmë është koha që presidenti Hashim Thaçi ta thërrasë një datë për zgjedhje.

“Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend gjatë javës që lamë pas janë deklaruar të gatshme për zgjedhje të parakohshme dhe pas një deklarimi të tillë, i takon Presidentit të Republikës të thërras partitë për konsultime për datën e zgjedhjeve. Kjo situatë, besoj se do të ishte shumë e thjeshtë si proces, vetëm se vullneti i deklaruar duhet të jetë edhe i njëjti me atë të menduar. Por, tani në këtë situatë, duket se partitë një e flasin e tjetrën e mendojnë. Ndërsa, është evidente se rol të rëndësishëm do të kenë edhe zgjedhjet e brendshme në LDK, pasi kjo parti përfaqëson partinë më të madhe opozitare”, tha Kusari-Lila.

Ajo thotë gjithashtu se zgjedhjet janë e vetmja mundësi për një Qeveri dhe për institucione stabile.

“Çfarëdo zgjidhje tjetër do të ishte e paqëndrueshme në situatën aktuale të krijuar në Kosovë me sfidat me të cilat ballafaqohet vendi”, tha ajo.

Tutje, Kusari-Lila i ka thënë portalit Koha.net se partia e saj do të jetë patjetër pjesë e një koalicioni parazgjedhor kurdo që të shkohet në zgjedhje. Thotë se janë në konsultime me Lidhjen Demokratike e me Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse me këtë të dytën ka biseduar edhe më konkretisht.

“Ne kemi komunikim dhe koordinim me dy partitë e mëdha opozitare LDK dhe LVV, ndërsa me këtë të dytën kemi biseduar edhe konkretisht për mundësitë e bashkëpunimit parazgjedhor, por ende asgjë të definuar nuk kemi. Nëse shkojmë në zgjedhje, e duket se gjithsesi duhet të shkojmë, Alternativa do të jetë pjesë e një koalicioni parazgjedhor”, ka përfunduar ajo.