KMDLNj me nismë për Ligjin për Lustracion

KMDLNj me nismë për Ligjin për Lustracion

23 shkurt 2017 11:36

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut po kërkon të fillojë procesi i lustracionit për figurat të larta publike dhe Hapjen e Dosjeve, duke propozuar se ky proces duhet të administrohet nga një Komision i Pavarur, thotë kumtesa nga KMDLNJ.

KMDLNj, sipas kp – së, ka thënë se ky proces nuk mund të përdoret për dënime, ndëshkime apo hakmarrje individuale, politike, etnike, fetare, racore, gjinore etj, por se qëllimi është që procesi i Lustracionit të figurave publike t’i eliminojë apo reduktojë kërcënimet që mund të vijnë nga subjektet e Lustracionit e që në rrethanat e reja mund t’i shkelin të drejtat e njeriut ose bllokojnë proceset demokratike e që janë në pozita të larta publike.

“Për krimet e rënda që i kanë bërë në sistemet e mëparshme, duhet t’i nënshtrohen një Kodi Penal”.

Kjo është komunikata e plotë e KMDLNJ – së :

Republika e Kosovës, 19 vite pas përfundimit të luftës nuk ka arritur të krijojë një standard të mirëqeverisjes shkaku se ka munguar Ligji për Lustraicion si mundësi dhe domosdoshmëri që, përmes një procesi efektiv të hapjes së dosjeve, të bëhet pastrimi i figurave publike nga e kaluara e që tani janë në poste të larta publike. Për këtë arsye kurrë nuk është krijuar raporti i besimit të këtyre figurave publike sikur që shoqëria nuk ka qenë në gjendje ta dijë se nga kush qeverisen, kush i përfaqëson dhe kush i mbron të drejtat e saj. Luftës në Kosovë i ka paraprirë një shkelje masive dhe e gjatë e të drejtave të njeriut në Kosovë (nga viti 1945 – 1998) që llogaritet si periudhë e krimeve të komunizmit e që ka përfunduar me një gjenocid të hapur gjatë viteve 1998 – 1999. Shqiptarët dhe joshqiptarët që e kanë kundërshtuar komunizmin në ish – Jugosllavi dhe Serbi i janë nënshtruar krimeve të pashembullta dhe deri sot nuk kanë pasur mundësi që, përmes sigurimit të qasjes në dosjet e së kaluarës, të informohen për persekutuesit e tyre të “padukshëm” që sot edhe mund të jenë bartës të posteve publike në Kosovë e që nënkupton rrezik real se persekutimi i tyre mund të përsëritet , tash në forma tjera. Procesi i lustracionit me ç’rast verifikimi i së kaluarës është kusht i domosdoshëm për fitimin e besimit të opinionit publik për figurat që i nënshtrohen këtij procesi, nxjerrjen e së vërtetës dhe së drejtës historike si dhe forcimi i transparencës si parakusht për krijimin e një demokracie të qëndrueshme në një mjedis tejet represiv sikur ishte Kosova në periudhën që parashihet t’i nënshtrohet procesit të lustracionit të figurave publike përmes hapjes së dosjeve është jashtëzakonisht i nevojshëm tash sikur që ka qenë i hershëm po të kishte filluar menjëherë pas përfundimit të luftës.

Ky proces nëse do të bëhet, duke u respektuar Ligji për Lustracion dhe Hapje të Dosjeve do të bëjë transparent krimet nga sistemi i kaluar dhe pasojat e tyre sikur që do të sigurojë se këta që qeverisin sot apo janë bartës të posteve të larta publike e meritojnë besimin e opinionit publik në rast se procesi i lustracionit ua nxjerr të pastër figurën e tyre. Kjo vlen për administratën shtetërore në përgjithësi duke theksuar disa segmente të veçanta në pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe bartës të funksioneve të larta publike. Që ky proces të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm për opinionin publik, Ligji për Lustracion dhe Hapje të Dosjeve duhet të jetë në përputhje të plotë me parimet e shtetit të së drejtës duke respektuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ato demokratike. Në Kosovë ka pasur nisma për procesin e Lustracionit por se ato kanë qenë të izoluara dhe kanë dështuar për faktin se janë ndërtuar mbi themele të brishta dhe të papranueshme shkaku se kanë pasur konotacionin e një qasjeje denoncuese, pa argumente apo me argumente të dyshimta, pa konsultimin e dosjeve, kanë marrë kuptimin e një linçimi publik apo janë përdorur për diferencime ekskluzivisht politike duke krijuar një klimë që nuk ka ndikuar apo ndihmuar transparencën si parakusht e krijimit të besimit të opinionit publik. Këto janë arsyet pse ka dështuar procesi i Lustracionit dhe Hapjes së Dosjeve në Kosovë. Kjo nismë nuk e ka trajtuar procesin e Lustracionit si dukuri por si gjueti ndaj emrave të përveçëm. Në këto rrethana, ka qenë e pamundur të sigurohen kushtet për miratimin konsensual për një Ligj për Lustracion të figurave publike në Kosovë.

Duke u mbështetur në përvojat e shteteve të rajonit që e kanë kaluar këtë proces, që nga miratimi i Ligjit për Lustracion e deri te zbatimi i këtij Ligji dhe duke bërë përpjeke që ky proces, që i ka specifikat e veta sa i përket Kosovës dhe që dallon nga shtetet e tjera duhet t’i sqarohet opinionit në Kosovë se procesi i lustracionit:

- Nuk mund të përdoret për dënime, ndëshkime apo hakmarrje individuale, politike, etnike, fetare, racore, gjinore etj. Por se qëllimi është që procesi i Lustracionit të figurave publike t’i eliminojë apo reduktojë kërcënimet që mund të vijnë nga subjektet e Lustracionit e që në rrethanat e reja mund t’i shkelin të drejtat e njeriut ose bllokojnë proceset demokratike e që janë në pozita të larta publike. Për krimet e rënda që i kanë bërë në sistemet e mëparshme, duhet t’i nënshtrohen një Kodi Penal.

- Përgjegjësia për funksionarët e sistemeve të mëparshme është mbi kriteret e përgjegjësisë individuale e kurrsesi kolektive;

- Procesi i Lustracionit të figurave publike duhet të prodhojë si rezultat ndalimin e ushtrimeve të funksioneve të caktuara dhe të kufizohet mbi baza të arsyeshme kohore dhe ky proces mund të zbatohet vetëm nëse subjektit të Lustracionit i sigurohet mbrojtja e plotë ligjore;

- Procesi i Lustracionit duhet të kufizohet vetëm në ato raste ku ka arsye të besueshme se paraqesin rrezik për të drejtat e njeriut, proceset demokratike, pengojnë në zbatimin e politikave të qeverisë në përputhje me standardet demokratike e që ndërlidhen me sigurinë e brendshme apo funksionimin e shtetit.

- Institucionet që mund të ndikojnë në të drejtat e njeriut në mënyrë shpërdoruese janë: shërbimet e inteligjencës, sigurisë, zbatimit të ligjit, gjyqësori, prokuroria etj..

- Procesit të Lustracionit nuk mund t’i nënshtrohet personi nën moshëm 18 vjeçare në periudhën kur dyshohet se ka qenë pjesë e struktuave represive dhe në rast se individi ka kundërshtuar vullnetarisht shkeljen e të drejtave të njeriut.

E nderuara ministre Hoxha,

Që procesi i Lustracionit të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm për opinionin publik dhe subjektet që i nënshtrohen këtij procesi dhe duke marrë parasysh praktikat pozitive të shteteve tjera, KMDLNj e rithekson se ky proces duhet të administrohet nga një Komision i Pavarur dhe i krijuar veçanërisht për këtë qëllim. Përbërja e këtij Komisioni duhet të jetë nga individë të respektuar të shoqërisë , me një integritet të dëshmuar moral dhe profesional të paanshëm dhe jashtë çdo ndikimi politik.

Nëse nuk respektohen këto kritere, procesi i Lustracionit të figurave të larta publike në Kosovë e që mund të jenë subjekte të këtij procesi, suksesi i këtij procesi do të jetë shumë i dyshimtë e pse mos të thuhet do të jetë i dështuar. Procesi i Lustracionit të figurave publike, nëse zbatohet në bazë të kritereve të lartpërmendura do të ndikojë në largimin e mëdyshjeve që ekzistojnë sot, janë shpagim moral për viktimat e krimit, ndikon në rikthimin e besimit të institucioneve, e forcon besimin e opinionit publik, i shërben realizimit të së drejtës për drejtësi, e konfirmon të vërtetën historike dhe faktike, ndihmon në dekriminalizimin e administratës dhe institucioneve tjera të rëndësishme të Kosovës sikur që shërben edhe si masë parandaluese për krimet e mundshme në të ardhmen. Përveç se është detyrim shtetërorë, procesi i Lustracionit të Figurave Publike është edhe një standard i detyrueshëm i shteteve e që kanë dalë apo janë formuar pas rënies së diktaturave komuniste, përmbushjen e së cilës e kërkojnë institucionet e rëndësishme ndërkombëtare.

Natyrisht se kjo nismë për miratimin e Ligjit për Lustracion të figurave të larta publike përmes hapjes së dosjeve duhet të rrjedhë nga shoqëria civile kurse KMDLNj, me këtë kërkesë që ua bënë vetëm sa po kontribuon në bërjen e hapit të parë në përmbylljen e një procesi shumë të ndjeshëm, të dhimbshëm, me shume rreziqe por të domosdoshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj në mënyrë që pastaj, institucionet e shtetit të merren me këtë çështje.

se kjo nismë e KMDLNj – së për procesin e Lustracionit të figurat të larta publike dhe Hapje të Dosjeve të përkrahet nga shoqëria civile, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Qeveria e Kosovës, Presidenca dhe institucionet tjera relevante.

comments powered by Disqus
Të ngjashme