Arbëri

Pantina nuk përjashton koalicionin me VV-në dhe Nismën, preferojnë më shumë këtë të dytën

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën Socialdemokrate.

Duke komentuar një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, ajo ka thënë se programi me ta është i njëjtë dhe koalicioni me ta do të ishte krejt i natyrshëm.

Ajo në Interaktiv thotë se edhe me Nismën Socialdemokrate iu përshtatet programi qeverisës, pasi thotë të kenë përvojë të mirë të bashkëpunimit edhe nga qeverisja e kaluar.

“Ne më shumë kemi një lloj lufte politike ku shikohet se çfarë është bërë në të kaluarën se sa çfarë duhet të bëjmë në të tashmen. Ne duam të garojmë me subjektet politike qoftë të ndarë qoftë të bashkuar por për një qeverisje më të mirë”, thotë ajo.

Duke komentuar deklaratat e disa deputetëve nga Vetëvendosja, se kanë vija të kuqe për PSD-në, ajo ka thënë se dikur kishin të njëjtin qëndrim edhe për LDK-në po që gjërat kanë ndryshuar.

“Gjatë kohës kur isha në VV ka pasur vija të kuqe me LDK-në e Isa Mustafës, sot Vetëvendosja insiston që të bëjë koalicion me LDK-në e Isa Mustafës, deklarimet e VV-së do të ndryshojnë sepse kanë dhënë shenja. Mirëpo edhe partitë duhet ta përjashtojnë nga fjalori fjalën vijat e kuqe”, ka thënë ajo.

Lidhur me deklarimet e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili i quajti partiçkë, ajo thotë se nuk ekzistojnë as për inat e as për hatër të Kurtit.

“Ne nuk ekzistojmë as për inat e as për hatër të zotri Kurtit dhe do të jenë votuesit ata që vendosin se çfarë jemi ne. Ka më shumë se një vit që janë thurur lloj-lloj konspiracionesh për ne, por për fat të mirë kemi ardhur edhe ne si subjekt në një kohë ku nuk po merremi me të kaluarën”, thotë ajo.

Pantina thotë se në një shtet normal koalicionet duhet të formohen në bazë të programit të njëjtë, e sipas saj partitë e preferuara do të ishin partitë e majta, në këtë rast Nisma socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëbendosje.

Sipas saj, një qeveri e preferuar pas zgjedhjeve do të ishte opozita e tanishme.

Ajo tutje ka shtuar se vija të kuqe kanë me PDK-në dhe e njëjta duhet të jetë në opozitë.

“Vija të kuqe duhet të bëhen me partinë e cila ka qeverisur kaq gjatë. PDK është fajtore për gjendjen e shtetit. Nëse PDK i ka të vërteta deklarimet e fundit atëherë më së miri do t’i realizonin detyrat e tyre në opozitë”, thotë ajo.

Ajo thotë se PSD-ja është e gatshme për zgjedhje ndonëse rithekson se janë në fazën e rikonstruktimit.

Sipas saj, tashmë janë 18 degë të reja në të gjitha komunat e Kosovës derisa ka njoftuar se sot kanë mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues për t’u mobilizuar për zgjedhje.

Pantina thotë se duke parë deklarimet e subjekteve politike ka vullnet për zgjedhje të reja dhe jo krijim të një koalicioni të ri qeverisës.

Ajo thotë se është vështirë të thuhet nëse ata do të jenë pjesë e një qeverie të rikompozuar.

Ndërkaq duke folur për punën e Qeverisë Haradinaj edhe pas dorëheqjes, ajo ka thënë se kjo qeveri duhet të jetë e kufizuar në vendimet dhe veprimet e saj, pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Ajo thotë se nuk duhet të fillohen veprime të reja të cilat mund të mos jenë legjitime.

Pantina duke komentuar dorëheqjen e Haradinajt ka thënë se është e drejtë që secili që ftohet nga Specialja ta përfaqësoj vetën dhe jo institucionin derisa ka shtuar se është për tu përshëndetur veprimi i kryeministrit të dorëhequr.

“Ne nuk e kemi votuar atëherë atë gjykatë po tash është e pamundur të ndalet ajo. Ka probleme të shumta me të cilat përballen qytetarët por edhe Kosova si shtet. Ne se kemi ende të mbyllur çështjen e shtetësisë”, thotë ajo.

Sipas saj, Haradinaj me vullnet të tij ka hequr dorë nga posti, ani pse thotë se vendi nuk guxon të mbetet pa qeveri deri në zgjedhjet e reja.

“Unë nuk mund të jap një mendim profesional duke mos qenë e fushës. Por logjika thotë se kjo qeveri duhet të jetë e kufizuar edhe në veprime edhe në vendime deri sa të krijohet një qeveri e re”, thotë ajo.