Arbëri

Shkaku i avarisë në “Vala” vështirësohet komunikimi i klientëve

Foto: Koha / ilustrim

Pengesa të shumta e kanë shoqëruar komunikimin e klientëve të telefonisë mobile “Vala”.

Përveçqë nuk kanë funksionuar thirrjet me pagesë, në dy ditët e fundit ka pasur problem të shërbimeve të internetit të ofruara nga ky operator i telefonisë, shkruan sot Koha Ditore.

Klientët janë ankuar se kjo u ka shkaktuar vështirësi, ndërkohë që nga “Vala” kanë thënë se kanë pasur disa avari në sistemin operativ dhe se janë duke punuar që problemet të sanohen.

Teuta Gashi, nga Prishtina, ka thënë se tash e dy ditë ka pasur probleme për të komunikuar për nevoja të saj personale dhe të punës.

Probleme ka pasur edhe me thirrjet emergjente siç është Policia. Sanije Kajtazi, nga Prishtina, ka thënë se mëngjesin e së enjtes nuk kanë arritur të telefonojnë as Policinë.

Ndërkohë që zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, ka thënë se të mërkurën dhe të enjten rrjeti i telefonisë mobile “Vala” ka pasur disa avari teknike të shfaqura në sistemin operativ të saj. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)