Arbëri

Mashtrimet me pensionet - disa qytetarë paguan nga 50 euro aplikimin për pensione nga Serbia

Shumë pensionistë kanë pritur me orë të tëra në Hotel Grand, që të aplikojnë në një thirrje, për t’i marrë pensionet e tyre nga koha e paraluftës.

Por, gjithçka po del të jetë mashtrim nga dy persona, të cilët janë intervistuar nga Policia, raporton KTV.

Sipas njoftimit të Policisë, ndaj H. K., 66-vjeçar dhe I. SH., po ashtu i moshës së njëjtë, është iniciuar rast për mashtrim në bashkëkryerje dhe, me vendim të prokurorit, ata do të mbrohen në liri.

Njoftimi i tyre i bërë publik në rrjetet sociale, ftonte pensionistët e Kosovës që të aplikojnë për t’i marrë pensionet e Serbisë, sipas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.

Hysnije Abdullahu, pensioniste që jeton në Londër, tregon se me ta parë lajmërimin, ka dyshuar se bëhet fjalë për mashtrim dhe e ka lajmëruar Policinë.

Thotë se iu dhimbsën pensionistët e tjerë që ranë pre e këtij mashtrimi.

Pensionistë të tjerë janë shprehur të zhgënjyer me këtë njoftim, me të cilin thonë se u bë shaka me ta.

Federata Sindikale e Pensionistëve të Kosovës u ka bërë apel të gjithëve që të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve.

Në një përgjigje të shkruar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se Departamenti i Pensioneve nuk ka asnjë informatë se mund të jepen pensione në këtë formë.