Arbëri

Haradinaj e Krasniqi u mbrojtën në heshtje para prokurorëve të Speciales

Më shkurt se ç’ishte menduar, ka zgjatur intervistimi i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, para hetuesve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai, sikurse edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje ndaj dyshimeve që Prokuroria e Specializuar ka ndaj tyre, raporton KTV.

Haradinaj tha se nuk ka pasur diçka konkrete për të cilën e kanë pyetur, duke shtuar se nuk beson që ndaj tij mund të ketë një aktakuzë nga ky institucion.

Haradinaj ka folur edhe për dorëheqjen e tij dhe situatën politike, duke e vlerësuar si gjendje të vështirë momentin në të cilin gjendet Kosova.

Njëjtë sikur Haradinaj e Krasniqi, në heshtje, muaj më parë ishte mbrojtur edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Image
Screenshot: Al Jazeera

Ata janë në mesin e më shumë se 30 personave që tashmë janë ftuar ose intervistuar nga Prokuroria e Specializuar, e cila, me gjithë funksionimin tash e dy vjet, nuk ka dërguar në Gjykatë asnjë aktakuzë.

Hetimet e tyre lidhen me një raport të Këshillit të Evropës, të senatorit Dick Marty, në të cilin, ndër të tjerash, flitej për krime të kryera nga UÇK-ja gjatë luftës, por edhe për vrasje politike pas luftës.