Arbëri

Sveçla: Thaçi e Veseli janë marrë në pyetje nga Specialja

Xhelal Sveçla, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se edhe kryeparlamentari edhe presidenti janë marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

Kështu ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, kur ka shtuar se edhe Ramush Haradinaj ka mundur të mos dorëhiqej nga posti i kryeministrit për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ditë më parë Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për të shkuar në Hagë për t’u intervistuar si qytetar i thjeshtë dhe jo në rolin e kryeministrit. Sveçla ka thënë se edhe Haradinaj mund të mos dorëhiqej njëjtë siç kanë bërë edhe dy liderët tjerë shtetërorë.

Ai ka thënë se Haradinaj e ka ditur që qeveria që ai po udhëheq nuk do të ketë jetë të gjatë dhe për këtë ka vendosur të dorëhiqet për të faktorizuar veten.

“E ka ditur se s’është qeveri me jetë të gjatë dhe ka dashur të faktorizojë vetveten, e ka dashur të qeverisë si kryeministër në detyrë. S’ka dallim nga kryeministri dhe ai në detyrë. Ka mundur të shkonte sikur siç po flitet, e duket se është e vërtetë, edhe Kadri Veseli është intervistuar në rolin e kryeparlamentarit. Tashmë edhe Thaçi është intervistuar. Veseli në Frankfurt, e Thaçi dy herë në raste të ndryshme. Vendndodhjen nuk e di. Është intervistuar dy herë. E vazhdojnë të jenë në këto pozita”, ka deklaruar ai.

“Në vetvete ky veprim s’ka ndonjë vlerë. Është kalkulim politik për përfitime personale e grupore duke u viktimizuar për një çështje që ne e kemi kundërshtuar qysh në fillim. Më 2015 ne kemi kundërshtuar Specialen. Nëse kanë menduar se ndërkombëtaret tallen e se Serbia zbutet duke bërë konsensione apo se liderët kanë menduar se gjykata do të merret vetëm me komandantë të nivelit të dytë kanë gabuar. Kjo dihet se është gjykatë e njëanshme, ku shumica absolute e kryerësve të krimeve serbe në Kosovë nuk janë zbuluar. Është gjykatë politike, por është dashur të luftohet nga fillimi e jo me ndërskamca”, ka thënë ai.

“Kjo qeveri ishte çështje ditësh kur do të binte. Haradinaj e kuptoi se në këtë mënyrë do të përfitonte për vete dhe për partinë, gjë që s’është korrekte. Deklarata e dorëheqjes së tij ishte fillimi i fushatës së ardhshme. Ai deklaroi se edhe në zgjedhjet e reja do të kandidojë. Në çfarë cilësie do të kandidojë ai? Në cilësinë e të dyshuarit? Nuk ka kurrfarë argumenti të drejtë për të sqaruar këtë situatë. Ai e bëri këtë me idenë për t’u faktorizuar me idenë se do të shtojë përkrahje”, u shpreh deputeti i VV-së.

Ai ka thënë se dorëheqja e Haradinajt është mirë për Kosovën. Sipas tij, Qeveria Haradinaj çdo katër ditë ka pas nga një megaskandal.

Zgjidhje të vetme ka thënë se i shohin vetëm zgjedhjet e menjëhershme.

Këtu ka shtuar se presidenti Hashim Thaçi bën lojëra për të faktorizuar veten në këtë fazë, apo për të ndihmuar PDK-në.

“Dorëheqja e kryeministrit Haradinaj ka qenë e kërkuar që një kohë të gjatë nga ne. Normalisht s’kemi dashur të ndodhë kështu, por është mirë që kjo Qeveri ka rënë. Qeveri që njihet si qeveri e skandaleve. Është llogaritur që për çdo katër ditë ka pas nga një megaskandal. Edhe mediat kanë raportuar në baza ditore për këto skandale. Mirë që ka rënë. Duhet të shkojmë përpara me zgjedhje. Në skenën politike gjërat janë të ditura, e panjohura është këtu. Lojërat e Hashim Thaçit që tashmë jemi mësuar. Ai bën lojëra me qëllim të faktorizimit të vetvetes apo ndihmës së drejtpërdrejtë të PDK-së pasi është realisht lideri i asaj partie. S’ka zgjidhje tjetër. Duhet zgjedhje menjëherë. Duhet lënë këto lojërat për qeveri teknike, duhet ikur improvizimeve që do të sillnin situata edhe më të pakëndshme për qytetarët dhe vendin dhe qysh nesër presidenti duhet të thërrasë liderët për të caktuar datën e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.