Arbëri

“Shtëpitë e Europës” që mbajnë të mbyllura dyert për Kosovën

Për nder të 9 majit, Ditës së Europës, sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, gjatë ditës ka marrë emrin “Sheshi i familjes europiane”, raporton KTV.

Disa shtëpiza të vendosura në shesh kanë simbolizuar shtetet anëtare të BE-së, ku nëpërmjet broshurave të ndryshme, qytetarët e Kosovës patën mundësi të njihen me kulturën dhe zakonet evropiane.

Gjatë kësaj dite u organizuan aktivitete të ndryshme për fëmijë.

Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se BE-ja është e interesuar që edhe Kosovën ta shohë shumë shpejt brenda ombrellës së shteteve evropiane. Ministrja Mimoza Ahmetaj, tha se Qeveria e Kosovës dhe ministria që ajo drejton janë të përkushtuara për zbatimin e reformave evropiane dhe se, sipas saj, procesi integrues i Kosovës është në rrugë të mirë.

Ndryshe nga zyrtarët politikë që gjithnjë shprehin optimizëm, qytetarët janë tejet të pakënaqur me pozicionin e izolimit.

Në anën tjetër, përfaqësues të Unionit të Studentëve të Kosovës, nëpërmjet një aksioni me moton “Mos na mbani peng”, kanë hedhur 120 aplikacione për viza në oborrin e Kuvendit të Kosovës, si shenjë proteste ndaj periudhës së gjatë të izolimit të Kosovës.