Arbëri

Kritikohet anëtarësimi i Arbana Xharrës në PDK

Kalimi i Arbana Xharrës, gazetare dhe kryeredaktore e gazetës “Zëri”, në PDK është kritikuar ashpër nga figura të njohura publike, transmeton Koha.net.

Kjo pasi Xharra vazhdimisht kishte qenë kritike këtë parti duke e vlerësuar edhe si parti kriminale.

Komente të ndryshme për këtë kalim të Xharrës në PDK kanë pushtuar sot rrjetet sociale, ndërsa shumica e tyre kanë qenë kritikuese.

Nëpër postime nuk kanë munguar as shakatë në llogari të gazetares Xharra.

Kolumnisti i Kohës Ditore, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “njerëz që bëjnë karrierë duke kritikuar të keqen, për t’iu bashkuar në fund asaj nuk kanë vend në shoqëri”.

Ky është postimi i Abdixhikut në Facebook:

“Nën gjirin e SHIK-ut;

Të gjithë keni me u djegë.

Matrapazat, hajnat, kriminelët, vrasësit, dhunuesit, kërcënuesit e kapësit e deridjeshëm - siç i quanit vet - s'janë më ndryshe sot. Sot më ndryshe jeni ju; të gjithë ju nën ta. Ju që për pak pushtet i bëni argat kapjes. Ju që bëni karrierë duke kritikuar të keqen, për t'iu bashkuar në fund të njëjtës së keqe. Të tillë s'i duheni shoqërisë këndej, keni gjetë vendin taman atje.

Fatkeqësisht, kjo shoqëri është e kalbur në thelb. Ka humbur me vlerë, me sanksion vlere, me integritet. Këtu kapësit riciklohen si hiçgjë, të tjerë devijojnë bindjet e jetës edhe më lehtë. Pakurrizorja është bërë model. Sot kritika e përpjekja s'bëhen për besim në vlerë, por për peshkim të privelegjeve të pushtetit. Është pazar i trishtë.

Por në gjithë këtë model pakurrizi, s'bën të gjejmë dëshpërim. Përkundrazi. Sa më të afërt që bëhen këta atje, aq më të fortë e përbashkët do të mbesin të tjerët këndej. Kapja është e përkohshme, faqebardhësia e përhershme”.

Një lëvizje të tillë e ka komentuar edhe gazetari i njohur Enver Robelli që ka thënë se njerëzit që “nuk i rezistojnë valës me baltë s’meritojnë më shumë se përçmimin e përhershëm”.

Ai ka shkruar:

“Rezistenca dhe vetëm rezistenca është ajo që të bën përherë të besueshëm!

Asgjë nuk e dëmton njeriun më shumë se mungesa e konsekuencës, servilizmi dhe gjunjëzimi vullnetar për interesa të ngushta, tallja me publikun: sot kundër krimit, nesër me krimin, sot për drejtësi, nesër në anën e padrejtësisë, sot për liri të shtypit, nesër në anën e shtypësve të kësaj lirie. Kur kredibiliteti nxirret në tezgë, kur etika personale dhe profesionale shndërrohen vetëm në monedhë për pazare mundësisht tinëzare, kur pre e ambicies bien të gjitha kriteret, përfshirë nderin dhe krenarinë, atëherë ekzistenca reduktohet vetëm në rolin e agjitatorit apo agjitatores në folenë e krerëve të krimit të organizuar. Një metodë e sprovuar disa herë në batakun politik të Kosovës! Ata që i rezistojnë kësaj vale me baltë mbahen mend, ata që njollosin veten me vullnet dhe të shtyrë nga instinktet e ulëta s’meritojnë më shumë se përçmimin e përhershëm të po atij publiku, prej të cilit kërkonin përkrahje, solidaritet, duartrokitje. Teknika e paskrupullt e mashtrimit nuk është kalë me të cilin kalëron në torishtën politike. Çdo kthesë radikale ka edhe pasoja radikale”.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka komentuar shkurt kalimin e Arbana Xharrës në PDK duke shkruar: "Veç ta bëjmë të qartë edhe një herë: PDK'ja është e keqja e madhe e këtij vendi".

Kështu kishte thënë dikur vetë Arbana Xharra.

Një kujtim të asaj që dikur kishte thënë Xharra, e ka përsëritur edhe deputeti i Nismës, Haxhi Shala. Ai ka thënë se tash po shihet se kush paska qenë në të vërtetë “Politikë Prapa Perdeve”.

“Një fotografi që qarkulloi në medie ku shihemi unë me Jakup Krasniqin dhe Adem Grabovcin duke pirë kafe në hollin e hotelit ku isha i vendosur, Arbana Xharra e shpalli si “Politikë Prapa Perdeve”! E sot publiku pati rastin të shoh, me zë dhe figurë, se kush në të vëtetë paska qenë "Prapa Perdeve" duke biseduar për t'u bërë pjesë e atyre për të cilët nuk ka lënë gjë pa thënë!”, ka shkruar ai në Facebook.

Për këtë anëtarësim ka reaguar edhe analisti nga Instituti GAP, Agron Demi.

"...dhe, legjenda thotë, se gazetarja ma e "guximshme", bëri aktin ma qyqar. "Luftëtarja" e ekstremizmit dhe korrupsionit, i u bashkua atyre që e kan zhvatur këtë vend dhe kan nxitur ekstremizmin për me ruajt pushtetin”, ka shkruar ai.

Edhe analisti Vigan Qorolli ka reaguar për anëtarësimin e Xharrës në PDK duke thënë se “balta nuk është virtyt i gazetarisë, ndërsa i politikës po”.

Gjakova ka prodhuar shumë heronj. Të gjallë e të vdekur, ky qytet, të tillët vazhdon t'i respektojë për sakrificën e treguar ndër vite. Por, Gjakova - gjene e vetme që s'e duron është "ARPALLYKI". Kur t'i del boja, thonë zakonisht qytetet e tjera. Ama arpallyki si origjinalitet gjakovar sot u provua me një kuadër të sajin. Balta nuk është virtyt i gazetarisë. I politikes po.