Arbëri

Sipas Demaliajt, e gjithë opozita e kërkoi ligjin për dialogun

Descriptive Text

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, ka thënë se të gjitha partitë opozitare e kishin kërkuar ligjin për dialogun, të cilin dy partitë opozitare LDK e VV e dërguan për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e që e shpalli antikushtetues.

Në Interaktiv të KTV-së, Demaliaj ka thënë se Kushtetuesja është bazuar në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare kur ka vendosur se kryeministri është i obliguar të përfaqësojë vendin në marrëveshjet ndërkombëtare.

“Vendimi thotë se Ligji për dialogun është antikushtetues, por ishte konsensus i Kuvendit dhe ishte kryesisht kërkesë e partive opozitare. Kanë kërkuar që Kuvendi të ketë qasje. Ka qenë pashmangshëm edhe LDK-ja edhe VV-ja. Kanë kërkuar gjë të ngjashme, por ishte e para PSD-ja që kërkoi rezolutë të tillë dhe u zhvillua debat në Kuvend. Lidhur me atë çështje ishte kërkesë e LDK-së e VV-së pse s’po kalon rezoluta e PSD-së. Dikur u arrit konsensusi, ku Qeveria kundruall kërkesës së PSD-së ka nxjerrë rezolutë. Rezolutat s’janë të obligueshme për ligje. Por në rastin konkret, me kërkesë të opozitës, kryeministri ka thënë ‘po’, po e bëjmë një ligj për dialogun. Të gjithë ishin. VV, LDK, PSD, kanë kërkuar gjithmonë që për secilën marrëveshje që mund të nxjerrë Kosova, të jetë i informuar Kuvendi. Kanë kërkuar diçka të ngjashme”, ka thënë ai.

Demaliaj ka thënë se kryeministri Haradinaj me ligjin për dialog ka dashur bashkim të partive politike shqiptare në Kosovë në raport me Serbinë.

Sipas tij, gjithçka që ka ndodhur me këtë ligj është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare.

“Në rastin konkret, me kërkesën e opozitës u nxjerr ky ligj. Kam votuar një ligj në Kuvend. Sikur ligjet të nxirreshin ad-hoc, s’do të kishte nevojë për Gjykatë Kushtetuese. E ka konstatuar se ka pas shkelje dhe ne i pranojmë. Është përgjegjësi kolektive e pozitës dhe opozitës. Kjo ka ndodh me kërkesë të LDK-së, VV-së e PSD-së si opozitë. Të gjitha e kanë kërkuar që të ketë qasje Kuvendi në marrëveshjet që mund të nxjerrë Kosova në dialog me Serbinë. Për këtë u nxor ligji për dialogun, të cilin në momentet e fundit, LDK-ja dhe VV-ja nuk kanë dashur të marrin përgjegjësi në raport me Kosovën”, ka deklaruar më tej Demaliaj.