Arbëri

Komisioni për Arsim fton kryeministrin për raportim pasi kundërshtoi vendimin e KSHC-së

Komisioni parlamentar për Arsim i ka drejtuar kërkesë kryeministrit, Ramush Haradinaj që të raportojë para këtij komisioni lidhur me situatën e krijuar së fundi pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mosakreditimin e disa institucioneve të arsimit të lartë.

Kërkesën e ka bërë sot kryetari i Komisionit për arsim, Ismajl Kurteshi. Mbledhja është paraparë të mbahet të hënën në ora 13:00.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ditë më parë ka miratuar raportet e ekspertëve ndërkombëtar duke mos akredituar disa institucione publike dhe private të arsimit të lartë. Këto vendime kryeministri Haradinaj i ka quajtur të papranueshme dhe kriminale.

Lexo edhe: Haradinaj nuk tërhiqet nga kritika për KSHC-në: Nuk guxojmë të sillemi me indiferencë

Ndaj vendimeve të KSHC-së ka reaguar edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili ka paralajmëruar se kjo çështje do të adresohet në Qeveri.

Më 25 shtator 2017 ministri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit Haradinaj shkarkoi Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, raporton Koha Ditore.

Shkarkimet ishin bërë me arsyetimin se procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë është përcjellë me shumë parregullsi.

Si rezultat i ndërhyrjeve politike në shkurt të vitit 2018, Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi Agjencinë. Po ashtu, për të njëjtat arsye, edhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ( ENQA) ja zbriti statusin Agjencisë nga "anëtare me të drejta të plota" në "anëtare nën shqyrtim".

Image