Çelësi i ratifikimit të demarkacionit, në duart e LDK-së Foto: Koha / ilustrim

Çelësi i ratifikimit të demarkacionit, në duart e LDK-së

09 maj 2017 13:56

Lidhja Demokratike e Kosovës besohet ta ketë çelësin në duar për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike, ka ftuar në mbështetje për t’i bindur deputetët e partisë së tij edhe ambasadorin amerikan, Greg Delawie, si dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, raporton REL.

Të dy zyrtarët ndërkombëtar kanë zhvilluar të martën një takim me kryeministrin Mustafa dhe deputetët e LDK-së.

Një grup prej 17 deputetëve të LDK-së e ka kushtëzuar votën për ratifikimin e demarkacionit me kërkesën që marrëveshja aktuale të rishikohet pas një afati kohor prej dy viteve.

Këtë kompromis, ky grup i deputetëve e ka ofruar për të mundësuar vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

Por, një praktikë e tillë e ratifikimit të kushtëzuar të një marrëveshje ndërkombëtare nuk ishte mbështetur nga kryeministri Isa Mustafa.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës i ka shtuar presionet mbi kryeministrin Isa Mustafa që të dërgojë Marrëveshjen për demarkacionin në Kuvend ku do të shihet nëse e ka apo jo mbështetjen e deputetëve për ratifikim.

Varësisht disponimit dhe mbështetjes që do ta ketë qeveria për demarkacionin, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, PDK më pas ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapat, përkatësisht do të vendos nëse do të shkoj në drejtim të prishjes së koalicionit apo vazhdimit të tij deri në fund të mandatit kushtetues.

Për ratifikimin e demarkacionit kërkohen 80 vota të deputetëve.

Kurse opozita, ka në duar mocionin me nënshkrimet e 42 deputetëve për rrëzimin e qeverisë. Votimi i këtij mocioni pritet të ndodhë të mërkurën, më 10 maj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme