Arbëri

Sejdiu i AKR-së thotë se është biseduar me LDK-në për koalicion, por jo zyrtarisht

Descriptive Text

Mohojnë se do të ketë zgjedhje të parakohshme, e në anën tjetër janë angazhuar fuqishëm për të lidhur koalicione parazgjedhore.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar bisedimet me Aleancën Kosova e Re, ndonëse zyrtarët e kësaj partie e kanë mohuar një gjë të tillë.

Burime të KosovaPress kanë treguar se përfaqësues të LDK-së dhe AKR-së janë takuar në mënyrë që të diskutojnë për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor dhe në zgjedhje të shkojnë me listë të përbashkët.

Agim Veliu nënkryetar i LDK-së e ka mohuar të kenë diskutuar me partinë e Behgjet Pacollit për mundësinë e koalicionit parazgjedhor. Ai ka thënë shkurt se LDK momentalisht është në koalicion me PDK-në dhe nuk ka nevojë për koalicione tjera.

Por ndryshe thotë nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu. Ai i tha KP-së se kanë biseduar me zyrtarë të LDK-së, por jo aso takime të nivelit zyrtar.

“Jo jo nuk kemi bërë takime të nivelit zyrtar ose formal, çdo gjë është bërë ose në takime rasti ose takime për diskutime të bashkëpunimit potencial, por jo diçka formalisht”, th Sejdiu në një intervistë të shkurtër për KosovaPress.

Aleanca Kosova e Re sipas tij është e hapur ndaj bisedave me të gjitha partitë ose subjektet politike në Kosovë për të bërë koalicion, por, me kush që programi i AKR-së të zbatohet plotësisht.

“AKR si parti liberale është gjithmonë e hapur ndaj bisedave me të gjitha partitë ose subjektet politike në Kosovë, natyrisht për zbatimin e programit të AKR-së veçanërisht në sektorin ekonomik, por edhe në sferat e tjera. Mirëpo, diçka konkrete nuk ka as me bisedimet me LDK-në apo ndonjë subjekt tjetër dhe ne do të vlerësojmë atë që është më së miri për qytetarët e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht edhe vendimet tona gjithmonë do të merren parasysh në mënyrë primare çka është më së miri për vendin tonë dhe për qytetarët e pastaj për çdo gjë tjetër, kështu që jemi në proces të analizës se çka duhet bërë dhe si duhet hyrë në zgjedhjet që po trokasin si duket në derë dhe shumë shpejt strukturat e partisë do të marrin vendimin e duhur”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se AKR nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, por sipas tij jo me ata që kanë kontribuar në shkatërrimin e vendit.

“Me njerëzit të cilët janë me duar të papastra ne nuk bëjmë koalicion, nuk bëjmë koalicion me njerëzit të cilët kanë kontribuar në shkatërrimin e vendit tonë dhe në prurjen e vendit tonë në gjendjen të cilët gjendet aktualisht, ku po e shihni edhe vetë që çdo vendim që merret për interes personal dhe jo për interes të shtetit dhe interes të qytetarëve të këtij vendi. Nuk kemi dëshirë të flasim për vija të kuqe është një mendësi primitive, por kusht për bashkëpunimin tonë me cilin do subjekt apo cilët do persona është që në një të jenë të pastër dhe nën dy që të garantojnë zbatimin e programit të AKR-së”, tha Sejdiu.

AKR-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 nuk ka mundur të hyjë në Parlament pasi nuk ka kaluar pragun zgjedhor.