Arbëri

Mustafa dhe LDK: Demarkacioni duhet ratifikuar pa asnjë luhatje - e ka konfirmuar edhe SHBA-ja

Qeveria e Kosovës mbrëmë kishte paralajmëruar se ditën e sotme do të mbahet mbledhja e Qeverisë, prej ku do të procedohej në Kuvend çështja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi.

Por sot, kjo mbledhje dështoi dhe çështja e demarkacionit u tha se do të procedohet në Kuvend të mërkurën, pas mocionit të opozitës për mosbesim ndaj Qeverisë, mocion për të cilin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punës, Arban Abrashi, u shpreh se nuk do të kalojë.

Ndërkaq, në orët e pasdites, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

SHBA, përmes Ambasadës së saj në Kosovë, tha se marrëveshja për përcaktim të kufirit me shtetin fqinj është kryer mirë dhe nga ka asnjë të metë.

Ndërsa më vonë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook, duke u thirrur në kërkesën e SHBA-së ndaj deputetëve, tha se marrëveshja duhet ratifikuar në Kuvend “pa asnjë luhatje”.

“Deklarata e SHBA-së për ratifikimin e kufirit, është porosi e qartë e partnerit tonë strategjik për vendimin që duhet ta merr Parlamenti i Kosovës. SHBA-ja konfirmoi edhe një herë se kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në rregull. Ne duhet ta ratifikojmë marrëveshjen pa asnjë luhatje”, shkroi Mustafa në Facebook, raporton Koha.net.

Për deklaratën e SHBA-së, reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa.

Kjo parti thotë se është angazhuar në vazhdimësi për ratifikimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme për sovranitetin e shtetit, për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për proceset tjera vitale për të ardhmen e vendit.

“Në këtë kuadër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në mbledhjen e fundit, pa asnjë votë kundër ka mbështetur ratifikimin, duke kërkuar nga deputetët të saj që të votojnë pro kësaj marrëveshje të rëndësishme për perspektivën euroatlantike të vendit. Gatishmëria e plotë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa është demonstruar edhe sot, me ç’rast Qeveria ka qenë e gatshme që ta procedoj në Kuvend këtë marrëveshje, por që pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit u arrit dakordimi që Qeveria e Kosovës ta procedoj marrëveshjen e demarkacionit menjëherë pas seancës së Kuvendit që do të mbahet të mërkurën”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të gjitha forumet e saj i kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi, “duke pas parasysh argumentet e plota se vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte, gjë që është konfirmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës”.