Arbëri

Zekaj: Mungesa e kontrollit dhe e llogaridhënies të përmbaruesve dhe noterëve krijon pasiguri juridike për qytetarët

Ushtrimi i profesioneve të lira në të cilën kategori hyjnë noterët, përmbaruesit, ndërmjetësuesit dhe administratorët falimentues ishte parë si hap i madh në lehtësimin e punëve të sistemit gjyqësor e prokurorial. Megjithatë, për hulumtuesin e lartë të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Yll Zeka, disa vjet pas këto profesione nuk janë dëshmuar që kryejnë funksionin e tyre siç e parasheh ligji.

Dy profesionet që, sipas Zekajt, cilësohen nga më profitabilet, ai i noterëve dhe përmbaruesve, janë përfshirë në dyshime për keqpërdorime të mëdha. Ndonëse janë disa hallka që ligjërisht do të duhej të mbikëqyrnin këto profesione, të gjitha nuk kanë arritur ta ushtrojnë rolin e vet karshi përgjegjësive që ua jep ligji.

Zekaj ka folur edhe për konkursin e fundit për noterë. Sipas tij, konkursi i fundit dëshmon për një proces të komprometuar në tërësi për interesa politike, partiake, klanore dhe nuk përjashtohen as veprimet e pastra korruptuese. Sipas tij, është e papranueshme qasja e Ekzekutivit në raport me këto profesione dhe në fakt është shqetësuese edhe baza ligjore, e cila i ka dhënë diskrecion të madh ministrit të Drejtësisë.

Sipas Zekajt, profesioni i noterit, përmbaruesit, ndërmjetësuesit në parim është për lehtësimin e qasjes në drejtësi për qytetarin, ndërsa, sipas tij, kur abuzohet nga këta zyrtarë të licencuar të shtetit kthehet në bumerang, duke thelluar edhe më tutje rrezikimin e sigurisë juridike dhe po ashtu duke humbur edhe më shumë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)