Arbëri

Qeveria e çakorduar, Haradinaj kundërshton Pacollin për ndalesat e zyrtarëve serbë

Një ditë pasi zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme njoftuan se kjo ministri kishte marrë vendim që të mos lejonte hyrjen e asnjë zyrtari serb në Kosovë, Qeveria ka përgënjeshtruar ministrinë e saj.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë dhe se protokolli i vizitave të zyrtarëve serbë tashmë është i njohur, raporton KTV.

“Pas raportimeve të fundit dhe adresimit të shumë medieve me pyetje rreth deklaratave për ndalesën e hyrjes në Kosovë për qytetarët serbë, njoftojmë opinionin se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka marrë një vendim të tillë. Protokolli i vizitave të zyrtarëve nga shteti i Serbisë tashmë është i njohur dhe secila kërkesë trajtohet në bazë të procedurave ligjore”.

E, se zyrtarëve nuk u është ndaluar hyrja nga Kosovë, e ka konfirmuar edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se këtë ia ka konfirmuar vetë kryeministri Haradinaj.

“Para së gjithash, më vjen mirë që dëgjova nga Haradinaj që është lajm i rremë se zyrtarëve serbë u është ndaluar hyrja dhe vizitat në Kosovë. Mua më çudit se si në Prishtinë dhe në institucionet zyrtare japin deklarata të tilla zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por, që më vjen mirë sepse kjo e zvogëlon tensionin i cili është i rritur në rajon”, ka thënë Bërnabiq.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga ana e këshilltarit të MPJ-së, Jetlir Zyberaj, i cili një ditë më parë, përmes një statusi në Facebook, bëri të ditur lajmin se zyrtarëve serbë u është ndaluar hyrja në Kosovë, por ai nuk e ka hapur telefonin.