Arbëri

Molliqaj: Kryeministri Mustafa, bashkëfajtor për humbjen e 30 mln € në rastin Z-Mobile - Vala

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, përmes një statusi në Facebook, e ka inkriminuar edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, si një prej fajtorëve kryesorë për humbjet që shteti i pësoi me vendimin e arbitrazhit për rastin Z-Mobile – Vala.

Sipas tij, fajtorë për dënimin 30 milionësh të Telekomit janë: nënshkruesit e marrëveshjes së dëmshme me Z-Mobile; Kadri Veseli i cili e ka dërguar Agron Mustafën në krye të Telekomit pikërisht për të mos e respektuar këtë marrëveshje; Agron Mustafa i cili i ka shërbyer Kadri Veselit në këtë krim dhe Isa Mustafa i cili nuk e ka shkarkuar Agron Mustafën para se të ndodhte padia nga Z-Mobile por përkundrazi e ka mbështetur atë.

Në fund, ai thotë se po del se “të gjithë këta që i përmenda i kanë shërbyer Devollëve, në dëm të pasurisë publike të qytetarëve të Kosovës”.

Ky është postimi i Molliqajt:

Isa Mustafa i cili po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë për keqpërdorimet milionëshe të buxhetit të shtetit, është vetë njëri nga fajtorët kryesorë për dënimin 30 milionësh të VALA-s. Ja pse:

1. Kontrata me Z-Mobile ka filluar të mos respektohet prej vitit 2011, në kohën kur drejtor i PTK-s ka qenë Shyqyri Haxha. Mosrespektimi i kësaj kontrate ka vazhduar edhe pas ardhjes së Agron Mustafës në krye të Telekomit.

2. Z-Mobile ka kërkuar disaherë nga Agron Mustafa që të respektohet kontrata përndryshe ndodh padia. Këto kërkesa janë bërë para padisë, gjatë kohës sa kryeministër ka qenë Isa Mustafa.

3. Agron Mustafa nuk e ka respektuar kontratën dhe më 25 janar 2016 Z-Mobile e paditi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

4. Agron Mustafa është dërguar si drejtor në Telekomin e Kosovës nga Kadri Veseli, pikërisht për të vazhduar ky mosrespektim me qëllimin që Telekomi i Kosovës të dënohet. Kjo ka ndodhur gjatë kohës sa kryeministër ka qenë Isa Mustafa.

5. Isa Mustafa i vetëdijshëm për këtë aferë, në fillim pati reaguar ashpër kundër emërimit të Agron Mustafës në krye të Telekomit të Kosovës.

6. Më vonë, kur Isa Mustafa futet në lojën e Kadri Veselit, shkon në kompaninë VALA dhe e lavdëron punën e Agron Mustafës ani pse mosveprimet e këtij të fundit dihej që do të çonin në dënimin e Telekomit.

Pra, fajtorë për dënimin 30 milionësh të Telekomit janë: nënshkruesit e marrëveshjes së dëmshme me Z-Mobile; Kadri Veseli i cili e ka dërguar Agron Mustafën në krye të Telekomit pikërisht për të mos e respektuar këtë marrëveshje; Agron Mustafa i cili i ka shërbyer Kadri Veselit në këtë krim dhe Isa Mustafa i cili nuk e ka shkarkuar Agron Mustafën para se të ndodhte padia nga Z-Mobile por përkundrazi e ka mbështetur atë.

Krejt në fund, po del që të gjithë këta që i përmenda i kanë shërbyer Devollëve, në dëm të pasurisë publike të qytetarëve të Kosovës.