Arbëri

Në krye të Presidencës së BE-së, Finlanda mbështet prioritetet e deritashme të saj në Kosovë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, shpreson se Presidenca e BE-së e udhëhequr nga Finlanda do të jetë një hap pozitiv për Kosovën, të rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ministrja Hoxha zotohet se do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të adresojnë të gjitha prioritetet e Presidencës së BE-së të kryesuar nga Finlanda.

Në njoftimin e ministres Hoxha thuhet:

Mirëpres deklarimin e ambasadores finlandeze Stjernvall, e cila potencoi se vendi i saj në krye të Presidencës së BE-së mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, mirëpres nga Presidenca finlandeze dhe Këshilli i Ministrave njohjen e suksesit tonë në përmbushjen e kushteve për liberalizim, duke hequr dilemat për orientimin dhe përcaktimin tonë evropian, si i vetmi vend pa liberalizim.

Finlanda në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian do të vijojë prioritetet e deritashme të BE-së në Kosovë si sundimi i ligjit, fuqizimi i konkurrencës, përfshirjen sociale, mjedisin dhe vlerat evropiane.

Po ashtu, reformat në fushën e sundimit të ligjit, lufta e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, harmonizimi i legjislacionit me BE, reformën në arsim, gjithëpërfshirja sociale e të rinjve, janë prioritetet e BE-së në Kosovë.

Lidershipi global i BE-së në veprimet për luftimin e ndryshimeve klimatike, integrimi i politikës klimatike në të gjithë sektorët është objektivi kryesor i Presidencës finlandeze në krye të BE-së.