Arbëri

Haxhiu kërkon sqarime nga Tahiri për “skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj”

Foto: Koha

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit e Mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, i ka dërguar një letër ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në të cilën janë paraqitur ankesat e shumë kandidatëve në procesin e rekrutimit për noterë të rinj.

Haxhiu, përpos që e ka ftuar sërish Tahirin në raportim para këtij komisioni pasi që ky i fundit sot nuk u paraqit para deputetëve, ka thënë se ka shumë kandidatë që nuk janë të kënaqur me procesin e rekrutimit për noterë të rinj, raporton Koha.net.

“Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, refuzoi të jetë i pranishëm për raportim në Komisionin për Legjislacion. Edhe përkundër këtij refuzimi, ne sërish vendosëm ta ftojmë në raportim të martën tjetër. Por deri atëherë, lidhur me skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj, ia dërgova këtë letër që është në fakt kërkesë e shumë kandidatëve që padrejtësisht janë përjashtuar nga ky proces”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Për dyshimet mbi parregullsitë në procesin e rekrutimit të noterëve të rinj ka raportuar gazeta “Koha Ditore”. Në listën për t’u bërë noterë, që përbëhet nga rreth 200 emra që janë në pritje për t’iu nënshtruar testit me shkrim, rreth 70 prej tyre janë emra që kanë lidhje me politikën e sistemin e drejtësisë.

E madje në mesin e tyre është edhe djali i axhës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.