Arbëri

Gjukanoviqi përmend marrëdhëniet e mira fqinjësore të Malit të Zi me Kosovën

Descriptive Text

Në përmbyllje të mandatit të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, ambasadori Skender Durmishi është pritur nga presidenti Millo Gjukanoviq.

Presidenti Gjukanoviq, është angazhuar për ripërtëritjen e sa më shpejtë të dialogut mes Kosovës e Serbisë, dhe ka mbështetur integrimin e Kosovës në BE.

“Mali i Zi po i përcjell me kujdes ngjarjet në Kosovë nga pozita e marrëdhënieve miqësore e fqinjëve, por, edhe me dëshirën që problemet që ekzistojnë në rajon të kenë sa më shpejtë epilog në interes të të gjithëve”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Ka vlerësuar se vënia në fuqi e marrëveshjes për kufirin, hapja e qendrës malazeze për zhvillim në Kosovë, si dhe emërimi i konsullit të nderit, janë procese që e kanë përforcuar besimin dhe e kanë avancuar bashkëpunimin.

Sipas njoftimeve nga zyra e tij, ka lavdëruar punën e ambasadorit Durmishi për “bashkëpunim të shkëlqyer gjatë mandatit të tij diplomatik dhe për kontribut përparimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

Pasi ka përmendur shumë argumente që dëshmojnë për raportet e mira ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, presidenti Gjukanoviq ka konfirmuar gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit dhe mbështetje konstruktive për Kosovën.

Ambasadori Durmishi me këtë rast ka falënderuar presidentin Gjukanoviq dhe institucionet e Malit të Zi që i kanë krijuar kushtet e duhura për ushtrim të papenguar të mandatit të ambasadorit për mbrojtje të interesave të Kosovës dhe përfaqësim efikas gjatë tri viteve në krye të Ambasadës në Mal të Zi.

“Mund të konstatoj me kënaqësi se pas tri vitesh shërbimi, si ambasador i parë i Kosovës në Mal të Zi, po lë një nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si bazë solide për vazhdim të mëtejmë me përparësi ekonomia dhe infrastruktura si dhe këmbime aktive të vlerave kulturore të cilat forcojnë edhe më shumë lidhjet mes nesh” , tha ambasadori Durmishi.

Raportet e mira ndërmjet dy vendeve janë konstatuar edhe në takimet që pati ambasadori Durmishi me krerët e tjerë të institucioneve të Malit të Zi, kryetarin e Kuvendit, Brajoviq, nënkryetarin Nimanbegu dhe ministrin e jashtëm Darmanoviq.

Ambasadori Durmishi në këto takime është shprehur i kënaqur që gjatë këtyre tri viteve ndoqi nga afër shumë suksese të Malit të Zi , si anëtarësia në NATO e shumë të tjera të cilat janë mirëpritur në Kosovë si suksese të një vendi fqinj e mik si Mali i Zi por edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.