Arbëri

Dy lëkundje brenda një ore në Korçë

Korça është lëkundur sërish nga tërmeti. Dy lëkundjet kanë qenë të shkallës 3.6 dhe 3.9 të shkallës Rihter, bën të ditur Shqiptarja.

Korça nuk ka gjetur qetësi nga lëkundjet e tërmeteve edhe pse kanë kaluar disa javë që nga lëkundje e para që shkaktuan dëme të mëdha në disa fshatra. Ditën e sotme ka pasur dy lëkundje të fuqishme njëra pas tjetrës në zonën e Korçës.

Lëkundja e parë ka qenë 3.6 ballë i shkallës Rihter dhe ka rënë në lindje të Nikolicës në Korçë. Thellësia e tërmetit të parë mësohet se ka qenë rreth 10 km.

Ndërsa lëkundja e dytë ka qenë 3.9 ballë i shkallës Rihter. Epiqendra ka qenë në Jug Lindje të Drenovës në Korçë. Lëkundjet janë ndjerë dhe në fshatin Floq dhe Qafzez.

Kujtomë se banorët e të dy këtyre fshatrave prej disa javësh kanë braktisur banesat e tyre dhe po qëndrojnë në çadrat dhe ambientet e krijuara nga Forcat e Armatosura shqiptare dhe të Emergjencave Civile.

Ndërkohë për sa u përket banesave të prishura nga lëkundjet e tërmeteve, qeveria ka premtuar se do të dëmshpërblehen të gjithë. Në këtë nismë janë përfshirë edhe bashkitë e drejtuar nga PS.