Arbëri

Një vit i rëndë për arsimin

Descriptive Text

Viti shkollor 2018/2019 në Kosovë është përmbyllur me probleme të shumta dhe përplasje ndërmjet mësimdhënësve, Sindikatës së Arsimit dhe institucioneve arsimore në Kosovë. Ekspertë të çështjeve të arsimit thonë se kjo situatë e krijuar në këtë vit shkollor, pati efekte negative.

Revolta e mësimdhënësve nisi në janarin e këtij viti, kur ata përmes grevave kërkuan që koeficienti i pagës të rritet në një nivel "dinjitoz", ndërkohë që krerët e shtetit i kishin dyfishuar pagat e tyre pavarësisht obligimeve parazgjedhore që kishin marrë në raport me mësimdhënësit. Orët e humbura nga greva prej tri javësh e mësimdhënësve, nuk u kompensuan asnjëherë, edhe pas kërkesës së vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që këto orë të zëvendësohen.

Ndërkohë, mësimdhënësve me Ligjin e ri për paga, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, iu realizua kërkesa për ngritje të koeficientit të pagës për rreth 30 për qind.

Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se një situatë e tillë çfarë u krijua në këtë vit shkollor, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Ishte e mirë që mësimdhënësit ngritën koeficientin, por këtu filloi edhe një episod, i cili vështirë të kuptohet, pasi që edhe përkundër faktit që SBASHK-u shënoi fitore në këtë betejë sindikale dhe pritej të zëvendësoheshin orët, ata nuk i zëvendësuan edhe përkundër asaj që ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata”, tha ai.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës një ditë më parë është zhvilluar një seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në arsimin në Kosovë. Seanca ishte thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës kanë kritikuar institucionet arsimore për një gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë