Arbëri

EPIK: Teket e pasionet politike nuk mund ta komandojnë jetën publike

Instituti EPIK ka reaguar pas publikimit të sotëm të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jokushtetues delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ata kanë thënë se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese sërish tregoj se Kushtetuta, jo teket e pasionet politike, duhet të komandojnë jetën tonë publike.

“Në Aktgjykim qartë vihen në spikamë disa cilësi të sistemit tonë kushtetues, të cilat në vazhdimësi Instituti EPIK i ka vënë në dukje, herën e fundit në kuadër të studimit dhe tryezës tonë “Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë – Serbi”, të mbajtur me 13 maj 2019”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, cilësia e parë ka të bëj me natyrën e sistemit kushtetueses të Kosovës dhe vendeve përreth.

“Kosova ka një demokraci kushtetuese parlamentare, ku pushteti buron nga populli, i cili ngelet sovran çdoherë dhe ushtrohet përmes organeve përfaqësuese dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ku ka nevojë”, thonë ata.

Cilësia e dytë e kësaj demokracie, të cilës sot e konstatoj Gjykata Kushtetuese, është se demokracia jonë nuk është demokraci popullore e shumicës por demokraci kushtetuese ku kuvendi si organi kryesor përfaqësues i popullit shërben si zinxhiri legjitimes i krejt organeve tjera, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthorët.

Ndërkaq sipas tyre, cilësia e tretë e demokracisë kushtetuese kosovare është ndarja e balancimi i pushteteve, ku secili pushtet i ka kompetencat e veta kushtetuese, të cilat balancojnë njëra tjetrën, dhe ku asnjë organ nuk është më i lartë dhe më suprem se tjetri.

“Vetëm Kushtetuta është supreme, asnjëherë asnjë organ tjetër dhe asnjë vullnet politik i shprehur jashtë kuadrit kushtetues”, thuhet në njoftim.

Instituti EPIK thotë se, cilësia e katër e Aktgjykimit ka të bëj me anulimin e ligjit për dialogun dhe të vetë trupit kryesor dialogues, të ashtuquajturin Delegacion Shtetëror, sepse është formuar jashtë parametrave kushtetues dhe si një organ i posaçëm me një mandat të vjedhur kushtetues: as Shefit të Shtetit të Kosovës e as këtij Delegacioni nuk i takon e drejta për të dialoguar, por vetëm ekzekutivit të Kosovës, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Kuvendit për aq sa dialogu prek çështjet nga neni 18.1 dhe neni 20 i Kushtetutës.

“Shefi i Shtetit, e tha Gjykata Kushtetuese, eventualisht mund të konsultohet. E konsultimi, siç dihet , nuk ka një efekt juridik por më shumë kurtuazie për të respektuar njërin prej organeve ceremoniale dhe që simbolizon Shtetin e Kosovës në aspektin krejt formal e ceremonial”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, cilësia e pestë dhe e fundit është se ky Aktgjykim e ka bërë të qartë përtej çdo dyshimi, siç e ka thënë Instituti EPIK me kohë, se vetëm kuadri kushtetues, jo pasionet e ambiciet personale, duhet të shërbej si pikë referimi për dialogun tonë me Serbinë.