Arbëri

Bajrami: Operatori privat për homologim, plaçkë për qytetarët

Monopoli për homologim sot ka përplasur deputetët e Kuvendit të Kosovës me ministrin e Infrastrukturës Pak Lekajn. Kritikave të deputetëve për monopolin e kompanisë EuroLab në homologim, Lekaj u është përgjigjur duke i fajësuar ata për ligjin, të cilin tha se e ka nënshkruar ish-ministri Lutfi Zharku.

Sot në këtë Komision u zhvilluar debat i ashpër mes Lekajt e deputetit Glauk Konjufca, pasi ky i fundit e pyeti se sa para ka marrë nga EuroLab. Kritikave ndaj Lekajt u është bashkangjitur deputetja Hykmete Bajrami, sipas së cilës, janë krijuar rrethanat që monopoli të mbetet, kritika që Lekaj iu përgjigj duke e pyetur se pse nuk e ka ndryshuar ajo sa ka qenë në pozitën e ministres.

Në Interaktiv të KTV-së, Bajrami tha se “kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme”. Ka thënë se patjetër, duhet të ndërrohet udhëzimi administrativ.

“Edhe sot mbledhja përfundoi pa asgjë, insistuam që të paktën në komision të votohej por kjo s’ndodhi. Çështjen e homologimit e kemi ngritur nga 2018-ta, muaji prill, që hyri në fuqi 7 ditë pas nënshkrimit. Personalisht kam reaguar, sepse ka pasur kundërshtime qysh atëherë”, tha ajo.

Sot, para mbylljes për media të mbledhjes, pati edhe një kërkesë të deputetes Bajrami drejtuar ministrit Lekaj, që të shfuqizojë udhëzimin administrativ 02/2018, kërkesë që nuk u pranua nga Lekaj.

Bajrami, deputete e LDK-së, tha se ligji i ri i automjeteve “e hap tregun në fushën e homologimit”.

“Sot bisedat nuk ishin konstruktive. Në ligjin për automjete askund nuk thuhet se duhet të mbahet monopoli. Ky ligj nuk thotë në asnjë nen që një operator duhet ta kryejë homologimin në Kosovë. Ligji i ka paraparë disa kushte, sot në Kosovë i kemi mbi 110qendra të kontrollit teknik, kjo u jep mundësi për të kryer homologimin”, tha ajo.

Ajo tha se ideja e ligjit për automjete është që të rritet konkurrenca. Tha se askund në rajon në këtë fushë nuk ka monopol, sepse i kryejnë institucionet.

Bajrami, tha se kontrata ka qenë arsyeja pse në mandatin e tyre nuk e kanë ndërprerë monopolin për homologim.

Ajo mohon se ky ligj, që Lekaj thotë është bazuar në atë të vitit 2017, është i njëjtë.

“Me kontratën aktuale që skadon me 1 korrik, operatori aktual merr 5 euro në secilën qendër ku bëhet kontrolli. 5 euro shkojnë për kompaninë që e kryen homologimin”, tha ajo.

Deputetja Bajrami, tha se me këtë ligj, çdo veturë që vjen në Kosovë, e re apo e vjetër, duhet ta bëjë patjetër homologimin.

“Udhëzimi administrativ duhet të ndërrohet menjëherë”, tha ajo, duke shtuar se ai operator që dëshiron të futet duhet të ketë së paku 5 vjet përvojë në homologim.

Ka thënë se operatori privat që Qeveria ia ka dhënë ekskluzivitetin, po plaçkitë qytetarët.

“Është një kompani private që punon me vulën e Republikës së Kosovës dhe plaçkitë qytetarët”, tha ajo.