Arbëri

VV: Kërcënohet prapë Dardan Molliqaj

Lëvizja Vetëvendosje mbajti një konferencë për media në lidhje me, siç u tha, kërcënimet e radhës në adresë të Sekretarit Organizativ, Dardan Molliqaj.

Në konferencën e sotme, ku folën deputetët Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu, u prezantua një video-material ku ishin të përfshira kërcënimi i 21 marsit dhe xhirimet e kamerave gjatë natës së 22 marsit, kur ishin përcjellë Dardan Molliqaj e Agron Kabashi, me ç’rast ky i fundit ishte rrahur, sipas VV-së, “brutalisht” nga persona që nuk janë identifikuar ende.

Video-materiali që komentohej nga deputetja Haxhiu gjatë konferencës, përfshin edhe kërcënimin e fundit, i cili, sipas saj, ka ardhur mbrëmë në adresë të Molliqajt, nga profili i njëjtë që e kishte kërcënuar me 21 mars, një natë para se të ndiqeshin dhe të sulmohej aktivisti Agron Kabashi.

“Mbrëmë më 6 maj, Dardani ka marrë një kërcënim që është shumë më serioz sesa kërcënimi që kishte ndodhur me 21 mars të këtij viti. Kërcënimi i mbrëmshëm është nga profili i njëjtë me atë të 21 marsit. Ku, kësaj radhe kërcënuesi njofton se janë në përcjellje të vazhdueshme të Dardanit dhe tregojnë elementet e rutinës së Dardanit. Kërcënimi i dytë është ai që vjen për herë të dytë nga vëllai i drejtorit të operacioneve Rashit Qalajt, e që është Xhavit Qalaj, ku Dardanit i thuhet se ‘ka me të faru me shka të ki gjallë, ki mi ra pishman që je gjallë dhe se ka me zgjedhë sipas kanunit’”, tha deputetja Haxhiu.

Ajo tha po ashtu se këto kërcënime po ndodhin për shkak se deri më tani, nuk ka asnjë veprim të policisë për t’i identifikuar sulmuesit, dhe ndonëse dukej në fillim serioziteti i policisë për të zbardhur të vërtetën, kjo u zbeh.

Kurse Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, tha se policia dhe gjyqësia po përdoren jo për të vendosur rend e ligj, por për t’i luftuar e persekutuar kundërshtarët politikë, e veçanërisht Vetëvendosjen. Ai tha se kjo po ndodh për shkak se “ne kemi vendosmëri për ta luftuar krimin e organizuar në Kosovë” dhe theksoi se “kërcënimet në adresë të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes vijnë menjëherë pasi bëjmë publike skemat që tregojnë se si PDK, krerët e saj, kanë kapur institucionet”.

“Kjo tregon se shpjegimet tona për kapjen e shtetit, për mënyrën se si krimi i organizuar funksionon në Kosovë, paraqitja jonë e skemave të krimit të organizuar në Kosovë e shqetëson krimin e organizuar dhe krimi i organizuar kundërgodet Vetëvendosjen me kërcënime e shantazhe të këtij lloji, siç i ka ndodhur Dardan Molliqajt”, tha ndër të tjera Konjufca.

Ai shtoi se segmentet e shtetit të kapur nuk janë shumica e njerëzve që punojnë në institucione, por është një pakicë, e cila, siç u deklarua Konjufca, “është aktivizuar më shumë tani, për shkak se çdo ditë e më shumë po dihen eksponentët që i kanë kapur institucionet”.

Ai tha po ashtu se njerëzit e vendosur në pozitat kryesore bashkëjetojnë me krimin, dhe e cilësoi edhe një herë sulmin e 22 marsit ndaj Dardan Molliqajt si tentim-vrasje ndaj tij, e për të cilin tha se po heshtet qëllimisht nga institucionet kompetente.

“Sulmet e tilla me tendencën që të zmbrapsin Vetëvendosjen në luftën ndaj krimit të organizuar nuk do të kenë sukses. Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për luftën ndaj gjithë atyre që e kanë kapur shtetin dhe për ndërtimin e shtetit të së drejtës”, përfundoi konferenca e VV-së.