Arbëri

Ministria e Administratës Publike paguan qira për objektet që nuk i shfrytëzon

Foto: Driton Paçarada / KD

Rreth 122 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Administratës Publike vitin e kaluar për tri objekte të marra me qira, të cilat nuk janë shfrytëzuar asnjëherë nga stafi.

Kjo ministri me qëllim të akomodimit të 224 personave, në vitin 2016 kishte lidhur tri kontrata për marrjen me qira të këtyre objekteve, por asnjëherë nuk kishte arritur që të krijonte kushte për punë, shkruan sot Koha Ditore.

Shkak për këtë, sipas saj, është sulmi që kishte ndodhur në ndërtesën e Mitrovicës së Veriut, e cila dy javë pas përurimit, më 28 dhjetor 2016, ishte sulmuar me një granatë dore. Kjo dhe kërcënimet e tjera të vazhdueshme, sipas MAP-it, ka bërë që ky komunitet të mos integrohet.

Por, ajo nuk ka dhënë sqarimin se pse paguhen dy objektet e tjera të cilat nuk janë të gatshme për akomodim.

MAP-i paguan qira për ndërtesën në Zubin-Potok. Ky objekti është i gatshëm pas renovimit, por që nuk ka inventar për akomodimin e zyrtarëve në atë ndërtesë.

Njësoj ka vepruar edhe për objektin në Leposaviq, i cili nuk është i gatshëm, pasi që renovimi ende nuk është përfunduar, si dhe nuk është vendosur inventari për akomodimin e zyrtarëve. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)