Arbëri

Kastrati s’heq dorë nga reforma në arsim, tregon planet për përmirësimin e situatës në Kamenicë

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se reforma në arsim vjen si rezultat i numrit të vogël të nxënësve nëpër klasa e shkolla. Pavarësisht kritikave e kërcënimeve që mori, Kastrati thotë se nuk do të tërhiqet prej kësaj iniciative.

Në Intervistën e Javës në Koha.net, Kastrati flet me shifra për numrin e vogël të nxënësve nëpër shkolla, madje, thotë se është fakt i pakontestueshëm që me rënien e numrit të nxënësve, ka rënë edhe shkalla e arritshmërisë së tyre në testin e arritshmërisë, prandaj është e nevojshme reforma.

Ka treguar për sulmet që iu bënë pikërisht në ditët kur mbante takime me prindër e qytetarë rreth kësaj iniciative. Pohon se këto sulme, mund t’i bëhen edhe nga qytetarë që nuk e kanë harruar daljen e tij nga Vetëvendosja në Partinë Socialdemokate. Por, pavarësisht kësaj thotë se ‘është kryetar i Komunës së Kamenicës’, dhe do të vazhdojë të punojë në të mirë të tyre, pa asnjë dallim.

Flet edhe për gjendjen ekonomike në Kamenicë. Thotë se potenciali ekonomik po shfrytëzohet në minimum, por sipas tij, resurset, pozita, si dhe relievi i kësaj komune i japin një perspektivë shumë të mirë për të ardhmen.

Koha.net: Z.Kastrati, keni hasur në pengesa gjatë diskutimeve publike për reformën në arsim. Ka pakënaqësi tek disa qytetarë, madje edhe u sulmuat e u kërcënuat, derisa ju shpreheni se kjo reformë përmirëson gjendjen arsimore në Kamenicë. Pse mendoni se ka zëra të pakënaqur?

Qëndron Kastrati: Po, është e vërtetë që në shumicën e diskutimeve janë dëgjuar zëra të pakënaqur, dhe për ne është e kuptueshme, duke marrë për bazë rëndësinë që për mentalitetin tonë ka objekti shkollor për fshatin apo vendbanimin. Poashtu, pikëpyetjet që kanë pasur qytetarët në lidhje me reformën janë plotësuar në njëfarë mënyre me disa lëvizje propaganduese, të cilat kanë pasur qëllimin e keqinformimit dhe pengimit të diskutimeve, duke shpresuar që kjo është një mënyrë që na bënë të tërhiqemi nga qëllimi i reformimit të arsimit në Kamenicë, apo propozimit për riorganizimin e shkollave në komunën tonë.

Koha.net: Na sqaroni pak më detajisht iniciativën tuaj për këtë reformë. Pse thoni se do të sjellë cilësi më të mirë në arsim?

Kastrati: Iniciativa jonë për reformë vie si rezultat i numrit të vogël të nxënësve në klasa, por edhe në shkolla. Në Kamenicë 5 shkolla funksionojnë me më pak se 5 nxënës. Natyrisht që është e kuptueshme që në një klasë me një, pesë ose dhjetë nxënës nuk mund të ketë cilësi në nxënie dhe në mësimdhënie, shto këtu faktin që ekspertët rekomandojnë që klasa të ketë 20 nxënës dhe qëllimi është që për secilën klasë të jenë 20 nxënës, dy paralele për secilën gjeneratë dhe ofrimi i kushteve sa më të mira për nxënësit është më i lehtë kur numri i objekteve ku zhvillohet mësim është më i vogël. Është fakt i pakontestueshëm që me rënien e numrit të nxënësve, ka rënë edhe shkalla e arritshmërisë së tyre në testin e arritshmërisë që mbahet për klasët e nënta. P.sh. Në Shkollën "17 Shkurti" në fshatin Muçiverc, kur numri i nxënësve pjesëmarrës në test ishte 36, shkalla e arritshmërisë ishte 78.9% (2015), ndërkohë që kur ky numër ishte përgjysmë më i vogël apo 18, shkalla e arritshmërisë ishte 61.16% (2019).

Koha.net: Si prisni më saktë ta trajtoni zvogëlimin e numrit të nxënësve në shkolla. A keni shifra se sa nxënës janë nëpër klasë, në të gjitha shkollat e Kamenicës, dhe si e planifikoni ndryshimin në të ardhmen?

Kastrati: Sa i përket numrit të nxënësve, 25 klasë janë me nga një nxënës, 19 klasë me nga dy nxënës, dhe në shumicën e shkollave nuk arrihet idealja e numrit 20 nxënës për klasë. Trendi i rënies nga viti 2009 në vitin 2010 ishte 7.35%, nga viti 2017 në vitin 2018 ishte 7.18%, ndërsa përqindja totale e zvogëlimit të numrit të nxënësve në periudhën 2009-2018 është 44.74%.

Koha.net: Por megjithatë, KQZ-ja ua refuzoi njëherë kërkesën për referendum. A mendoni se mund të hasni përsëri në refuzime e kritika?

Kastrati: Mendimi ndryshe është vlerë për demokracinë dhe detyra jonë është që t’ia mundësojmë qytetarit përfshirjen në vendimmarrje, qoftë përmes referendumit, apo si në rastin tonë përmes diskutimeve publike. E vlerësojmë lartë çdo kritikë konstruktive, e cila i shërben qëllimit final që është ofrimi sa më i mirë i edukimit sa më cilësor për nxënësit tanë.

Koha.net: Këto sulme e akuza nga qytetarët ndaj jush, a mund të themi se po ndodhin edhe pas kalimit tuaj në PSD, nga Vetëvendosja?

Kastrati: Mund të ketë të atillë që as sot nuk e kanë harruar zemërimin e daljes sime nga VETËVENDOSJE, mirëpo ky numër është shumë i vogël. Unë jam kryetar i Komunës së Kamenicës, kryetar i të gjithë banorëve të kësaj komune pa dallim etnie, gjinie, religjioni apo partie. Këtë besoj që e kam dëshmuar në punën e përditshme, dhe qasjen ndaj punëve në komunë.

Koha.net: Z.Kastrati, meqë postin e kryetarit të Kamenicës e morët sa ishit në Lëvizjen Vetëvendosje tash në Partinë Socialdemokrate. Ish-partia ju ka cilësuar të paaftë për të udhëhequr Kamenicën prandaj doli nga qeverisja me ju. Pse morët këso akuzash për mashtrim me qytetarët, e madje u thanë edhe se po i nënshtroheni koalicionit qeverisës?

Kastrati: Nëse nuk do të ishin kritikë ndaj qeverisjes, partitë opozitare s’do të kishte kuptim të ekzistonin, apo jo? Lëvizja VETËVENDOSJE doli nga qeverisja thuajse përgjithësisht deklarativisht. Nëse duam ta zhveshim vendimin e qytetarit krejtësisht nga subjektet, atëherë mund të themi që qytetari e ka votuar programin. Mirëpo e dimë që nuk është ashtu, qytetari ka votuar pjesërisht për partinë, pjesërisht për kandidatin e programin. Përfundimisht, qytetari do të jetë ai i cili do të vlerësojë punën time në përfundim të mandatit tim.

Koha.net: Komuna e Kamenicës ka pak potencial për zhvillim ekonomik, këtë e keni deklaruar madje edhe ju. Çka do të bëni që t’i ktheni Kamenicës edhe zhvillimin e mirëfilltë ekonomik?

Kastrati: Për Komunën e Kamenicës mund të themi se momentalisht potenciali ekonomik është ka shfrytëzohet në minimum, por resurset, pozita, si dhe relievi i saj japin një prespektivë shumë të mirë për të ardhmen. Këtë e them duke u bazuar që në periudhën e para luftës. Kanë ekzistuar dy xehrore ajo e Xic Karaqevës ku kemi pasur prodhim të pllakave të qeramikës e cila me prodhimin e vet përpos që e ka furnizuar Ish Jugosllavinë, ka pasur eksport edhe në tregjet evropiane si Itali, Spanjë etj. Ka pasur më tepër se 500 punëtorë të angazhuar drejtpërdrejt në prodhim, duke mos llogaritur stafin administrativ. Ka qenë edhe miniera e magnezitit në Strezoc, e cila ka shërbyer vetëm për nxjerrjen e lëndës së parë, ndërsa prodhimi final është bërë në Serbi, respektivisht në Kralevë. Shumë pak njerëz e dinë që dikur në Kamenicë ka pasur edhe fabrikë të tekstilit ku ajo ka operuar në objektin tashmë i cili shfrytëzohet si restaurant. Po ashtu, është e pabesueshme nëse të rinjve tanë ju themi se në vitet e 60-ta në Kamenicë kemi pasur edhe një fabrikë për prodhimin e bonbonave, llokumit si dhe ëmbëlsirave tjera, e cila ka punësuar me dhjetëra punëtorë. Kjo ishte sa i përket industrisë, ndërsa sa i përket agrikulturës kemi pasur një kooperativë bujqësore shumë të fuqishme e cila në kuadër të saj ka pasur të punësuar mbi 500 punëtorë. Pos kësaj ka qenë edhe serra për kultivimin e perimeve si trangujt e domatet, e cila ka mbuluar tregun e mbarë Ish Jugosllavisë. Gjithashtu, në kuadër të kooperativës ka qenë ferma e rritjes së deleve në Bratilloc, me fond prej mbi 5000 dele, si dhe ferma për rritjen e pulave dhe bibave në Ropotovë. Të gjitha këto na bëjnë të kuptojmë, që Kamenica dikur ishte një qytet i cili me produktet e saj furnizonte një treg me më tepër se 25 milion banorë. Derisa institucionet qendrore nuk e ndërrojnë fokusin, dhe nuk përqendrohen në përmirësimin e pozitës së sektorit privat në Kosovë, duke lehtësuar kushtet e të bërit biznes, përmirësimin e kushteve të punëtorëve në këtë sektor, promovimin e këtij sektori si të përshtatshëm për punësim, kompetencat e komunës janë minimale për ndikim.
Bizneseve ekzistuese në Kamenicë po ju gjendemi afër për shërbime, informata e procedura të shpejta, ndërsa me diasporën jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke ju ofruar potencialet e Kamenicës për investime.

Koha.net: Kur flasim për zhvillimin ekonomik, keni pasur synim krijimin e një zone ekonomike. Ku mbeti kjo iniciativë?

Kastrati: Procedurat për themelimin e zonës ekonomike kanë filluar. Aktualisht jemi në fazën e përcaktimit të lokacionit për të vazhduar me procedura të mëtejme. Për themelim të zonës ekonomike janë ndarë 500,000.00 euro.

Koha.net: Sa po investohet në Kamenicë nga investitorët e huaj?

Kastrati: Jemi takuar me shumë invesitorë potencial dhe vazhdimisht po zhvillojmë takime të tilla, duke ua ofruar të gjitha mundësitë e komunës në dispozicion. Viteve të fundit është parë interesim shumë i madh për investime në fushën e bujqësisë, kryesisht blegtori, për çka Kamenica është shumë e përshtatshme.