Arbëri

A do të veprojnë si PDK-ja edhe Nisma e AAK-ja me ministrat e tyre nën akuzë

Besim Beqaj ka lënë pozitën e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, të enjten, raporton KTV.

I bindur në pafajësinë e tij, Beqaj ka thënë se respekton vendimin e PDK-së, për largimin e të emëruarve politikë me aktakuza.

Megjithatë, Beqaj do të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave të PDK-së.

Dorëheqjen e ka dorëzuar te kryeministri Ramush Haradinaj edhe zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku.

Çeku, përmes telefonit, ka thënë për KTV-në se të enjten e ka liruar zyrën e tij në ministri, porse vazhdon të jetë pjesë e PDK-së.

Veprimin e partisë së Çekut për largimin e njerëzve me aktakuza nga pozitat udhëheqëse në institucione publike nuk e ka komentuar kryeministri.

Në kabinetin e Haradinajt, nga subjekti i tij vazhdon të mbajë postin e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, kryeministri ka thënë se secila parti i ka specifikat e veta.

KTV-ja ka pyetur edhe partnerin e koalicionit, Nisma për Kosovën, nëse do të veprojë sikurse PDK-ja, ku ministri nga radhët e këtij subjekti politik, ai i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është i dënuar për posedim të paautorizuar të armëve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

I dënuar me gjobë për të njëjtin rast, pjesë e kabinetit të Haradinajt është edhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi.