Arbëri

Konjufca i kërkon Haradinajt të mbledhë Këshillin e Sigurisë për rastin e këshilltarit të presidentit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar pas lajmeve se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka angazhuar një person që ka qenë pjesë e një shërbimi informativ të huaj. Bëhet fjalë për Branisllav Nikoliqin, për të cilin është thënë të ketë qenë pjesë e shërbimit informativ të Serbisë BIA.

“Janë krijuar kushtet që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sepse në zyrën e Presidentit të shtetit është punësuar Branisllav Nikoliq. Sipas mediave, ky njeri është pjesëtar i shërbimit shtetëror informativ serb. Kjo përbën pa dyshim rrezikim serioz të sigurisë kombëtare. Sipas Kushtetutës sonë (neni 94, pika 5, lidhur me nenin 127, pika 2) Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i vendit. Çka ka kryeministri që nuk e thërret mbledhjen? Mos ndoshta frikësohet nga presidenti që ia përmend bodrumin e Radojçiqit ku u themelua qeveria e tanishme? Çfarë çifti i tmerrshëm Thaçi-Haradinaj: reciprokisht të shantazhueshëm përmes veglave të Vuçiqit”, ka shkruar Konjufca.