Arbëri

Serbia vazhdon lobimin kundër Kosovës, Kina e Algjeria kundër pranimit në Interpol

Serbia së bashku me aleatët po vazhdon lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Përveç ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq i cili publikisht lobon kundër Kosovës, këtë po e bën edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, transmeton Dita.

Ai po qëndron në vizitë në Rusi ku do të marrë pjesë në takimin e 10-të Ndërkombëtar të Zyrtarëve të Lartë për Çështje të Sigurisë.

Stefanoviq i cili ndodhet në Rusi, u takua edhe me përfaqësues të Republikës Popullore të Kinës, shkruan Kurir.

Stefanoviq dhe sekretari i Komisionit për Çështjet Politike të Partisë Komuniste të Kinës, Guo Shengkun vlerësuan se ky takim është pozitiv veçanërisht në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Të dy biseduan edhe për çështjen e Kosovës, dhe siç shprehet Stefanoviq për mediet serbe, Kina e ka konfirmuar mbështetjen për Serbinë dhe mos-njohjen e Kosovës.

Gjithashtu, sipas ministrit serb Stefanoviq, Kina ka konfirmuar edhe se do të kundërshtojë fuqishëm pranimin e Kosovës në INTERPOL.

Përveç kësaj, siç raportohet, sot edhe Algjeria ka konfirmuar në Serbi se do të jetë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër pranimit të Kosovës në INTERPOL.