Arbëri

Dikasteri i Beqajt nuk sheh problem përzgjedhjen e Kadriut, i dënuar për korrupsion

Ministria e Inovacionit insiston se i emëruari drejtor i Departamentit Ligjor në këtë ministri, Lulzim Kadriu, nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta ushtruar këtë pozitë, pavarësisht se ishte i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, që udhëhiqet nga Besim Beqaj, mohon se Lulzim Kadriu ishte i dënuar për korrupsion.

Por, sipas Kodit Penal, keqpërdorimi i detyrës zyrtare hyn në kapitullin e veprave penale korruptive.

Lulzim Kadriu, ish-drejtor në Drejtorinë për Administratë, e më vonë për Gjeodezi dhe Kadastër në Skenderaj, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 6 muaj burgim, dënim që i ishte zëvendësuar në gjobë prej 1,800 eurosh.

Sipas kësaj ministrie, Lulzim Kadriu nuk ka asnjë pasojë juridike për të mos e vazhduar punën.

Madje, ata janë munduar ta arsyetojnë këtë me faktin se ai është i dënuar me gjobë e jo me burgim.

Pas interesimit të KTV-së për të sqaruar vazhdimin e punës së Kadriut në Zyrën Ligjore, Ministria e Inovacionit ka dërguar kumtesë për të gjitha mediat, duke thënë se punësimi nëpër pozita të shërbyesve civilë bëhet duke respektuar procedurat ligjore.

Ndërkohë, pas raportimit të KTV-së për këtë emërim, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, e quajti ofendim për qytetarët emërimin e një të dënuari për korrupsion në pozitë publike.