Arbëri

LDK-ja zgjedh përjashtimin e Borovcit dhe Abrashit për të ulur tensionet në degën e “Ibrahim Rugovës”

E diela e 16 qershorit ka rikthyer skenat e kuvendit të karrigeve të 2006-ës në LDK.

Delegatët e lagjes Mati, pjesë e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, e njohur si dega e presidentit Ibrahim Rugova, janë përleshur mes vete deri aty kur nisi edhe gjuajtja me karrige, raporton KTV.

Por, ky tension ishte vazhdimësi e tensioneve të krijuara ditë më parë në po të njëjtën degë.

Kjo ka alarmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryesia e së cilës, gjatë ditës, u mblodh në një takim të jashtëzakonshëm.

Lexo edhe: Abrashi e Borovci deklarohen pas vendimit të LDK-së për përjashtimin e tyre nga gara për kryetar të degës

Isa Mustafa e mblodhi kryesinë për të diskutuar situatën e krijuar në zgjedhjet e brendshme të partisë, meqë të tilla probleme tash e një kohë ka në shumë komuna të Kosovës.

Kështu njëjtë përplasje ka pasur edhe në Mitrovicë e Ferizaj, por që njerëzit e partisë akuzuan strukturat e SHIK-ut për ndërhyrje.

Edhe sot, LDK-ja thotë se të dielën në Mat incidentet erdhën nga njerëz të një partie tjetër.

Por, LDK-ja, në mbledhjen e jashtëzakonshme, ka vendosur që Arban Abrashi e Hazir Borovci, që janë ndarë në dy grupe për të marrë degën e tretë të LDK-së, të tërhiqen nga gara, në mënyrë që t’u kthehet normaliteti zgjedhjeve brenda partisë.

Hazir Borovci ndërkaq këtë e ka quajtur shtyrje normale që ndodh në një shtëpi të madhe, siç e quan ai LDK-në.

Por, për analistët, kjo situatë në LDK është pasojë e një gare të ashpër për kreun e partisë.

Madje, sipas tyre, kjo situatë dobëson tendencën për ta rrezuar nga pushteti PAN-in, ndërsa përjashtimin nga gara të Abrashit e Borovcit e quajnë jodemokratike.

Kuvendi i nëndegës në Mat, pas përleshjeve me bokse, shkelma e karrige, përfundoi me të lënduar e disa të arrestuar.

Pikërisht si shkak i përleshjeve me karrige, 13 vjet më herët, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte ndarë në dysh.