Arbëri

MASHT kërkon nga kolegjet private të pajisen me leje ndërtimi të dedikuara për këtë veprimtari

Ministria e Arsimit u ka dhënë ultimatum Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë, që objektet, në të cilat zhvillohet veprimtaria arsimore, duhet të jenë të pajisura me leje ndërtimi të dedikuara për këtë veprimtari.

Këtë, pronarët e kolegjeve private duhet ta bëjnë brenda afatit të regjistrimit të vitit akademik 2018-2019, përndryshe do t’u tërhiqet licenca, raporton KTV.

Këshilltari i ministrit Arsim Bajrami, Faton Fetahu, ka thënë se kjo kohë është e mjaftueshme që këto institucione t’i përmbushin kriteret e përcaktuara nga kjo ministri.

Në Kolegjin AAB, kanë thënë se kjo kërkesë e ministrisë duhet të respektohet nga të gjithë Bartësit Privatë të Arsimit të Lartë.

Sipas profesorit Xhavit Rexhaj, është e domosdoshme që objektet ku veprojnë kolegjet private, të jenë të destinuara vetëm për çështje arsimore.

Kurse, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se gjithsesi se duhet të përmbushen kriteret, duke shtuar se kolegjet private qëndrojnë më mirë se ato shtetërore, sa i përket infrastrukturës.

Përveç objekteve kryesore në kryeqytet, vlen të përmendet se shumica e kolegjeve private në qytete të tjera, veprojnë në lokale e objekte me qira dhe që nuk janë të destinuara vetëm për çështje arsimore. Si të tilla, nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë arsimore.


MASHT kërkon nga kolegjet private të pajisen me... by kohanet