Arbëri

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër vendimit të Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve

Descriptive Text

Me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime është votuar në Parlamentin e Shqipërisë rezoluta kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Ndër të tjera në rezolutën e miratuar me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe disa prej deputetëve të ‘opozitës së re’ thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”

Rezoluta u votua pas 5 orësh debat nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Kryeministri Edi Rama tha sot nga foltorja e Parlamentit se me vendimin e tij, Ilir Meta, i ka kaluar të gjitha kompetencat ndërsa nuk kurseu as akuzat.

“Ky Kuvend sot duhet tu drejtohej me një rezolutë të gjithë atyre shteteve për çeljen e negociatave. Por ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal të papërgjegjshëm të Ilir Metës. E pyes veten… Çfarë kërkon Meta më shumë nga Shqipëria? I cili pa mbushur 50 vjeç e ka bërë si askënd si askush në tjetër në histori”, tha Rama.

Rama tha se socialistët nuk do të tërhiqen nga 30 qershori.

“Nuk ka asnjë që na tund nga 30 qershori jemi detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë e re zgjedhjen e gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën vendore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive”, deklaroi ai.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ditë më parë ka anuluar zgjedhjet që janë paraparë të mbahen më 30 qershor./TCh/