Arbëri

Çfarë i thotë degës së PDK-së së Podujevës Agim Veliu

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu ka reaguar ndaj një kumtese të degës së PDK-së nga kjo komunë e cila kryetarin Veliu e kishte akuzuar se meritat e të tjerëve i bën të vetat.

Ky është reagimi i Agim Veliut:

“Të respektuar qytetarë të Komunës së Podujevës,

Më vjen shumë keq që po ju drejtohem për një çështje, të cilën vetëm një subjekt politik, si PDK-ja, përpiqet ta përdor politikisht.
Dega e këtij subjekti në Podujevë paska reaguar dhe më paska akuzuar kinse po e përdori ndërtimin e shtëpive në “Lagjen e Dëshmorëve” për poena politikë!
Të dashur qytetarë,
Për hir të ndjeshmërisë së rastit dhe për hir të informimit të drejtë të opinionit ua bëj me dije se unë asnjëherë nuk kam shkuar në "Lagjen e Dëshmorëve" për fushata elektorale, siç e kanë bërë vazhdimisht krerët e PDK-së.
Po ashtu dua ta njoftoj opinionin publik dhe degën e PDK-së në Podujevë se ky kamp ekziston që nga qeverisja e përkohshme, kur kolegët e z. Latifi e ndërtuan si të tillë.
Unë me të gjitha mundësitë dhe kompetencat e mia jam angazhuar që nga atëherë të ofroj zgjidhje për këto familje. Madje ishte ideja ime që për secilën familje të ndahet nga parcelë për ndërtimin e shtëpisë dhe të sigurojmë ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, në mënyrë që secila familje që jeton aty ta ketë një oborr dhe të bëjë jetë normale.
Ne e dimë fare mirë cilat ishin idetë tuaja për këta banorë, mirëpo jam i lumtur që nuk u janë realizuar asnjëherë.
Investimin për ndërtimin e shtëpive në këtë lagje më së paku dua ta ndërlidh me emrin e ndonjë subjekti politik.
E falënderoj Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për investimin dhe zotohem se do të jem i gatshëm 24 orë për bashkëpunim deri në ndërtimin e shtëpisë së familjes së fundit në “Lagjen e Dëshmorëve”.