Arbëri

Ish-presidentët e rajonit kundër Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh

Descriptive Text

Në një konferencë rajonale në Shkup, të titulluar “ Integrimet europiane në udhëkryq” nën organizimin e Klubit të Podgoricës, pjesë e të cilit janë ish-presidentë dhe kryeministra të vendeve të rajonit Kroacisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Sllovenisë janë kritikuar idetë për korrigjimin e kufijve, raporton Dita.

Në një deklaratë të ish-presidentëve të rajonit, ku kanë marrë pjesë ish –presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq, ish –presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Ish – presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, ish- presidenti i Maqedonisë Branko Crvenkovski dhe ish udhëheqës tjerë të rajonit është miratuar edhe një deklaratë ku theksohet se “ne, anëtarët e Klubit të Podgoricës shprehim gatishmërinë tonë që të bëjmë gjithçka që të parandalojmë që Ballkani Perëndimor përsëri të jetë viktimë e ideve dhe trendëve retrograde”

Klubi i Podgoricës ndër të tjera ka theksuar se është e një rëndësie të veçantë që BE të aprovojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

“Shtyrja e mëtejme e këtyre vendimeve në kontekstin e tashmë gjeopolitik dhe gjeoekonomik mund të ketë ndikim të dëmshëm edhe në nivel të brendshëm edhe në atë rajonal. Jemi dëshmitarë të sfidave të rendit global që bazohet në vlerat e përbashkëta dhe demokratike të shoqërive dhe mundësinë që ato të kenë ndikim negativ në Ballkanin Perëndimor” thuhet në deklaratën e ish-presidentëve dhe kryeministrave.

Më pas ata kanë bërë edhe një referencë direkte në lidhje me situatën në Kosovë e në Bosnjë e Serbi duke theksuar se idetë e ndarjeve shkojnë kundër bashkëpunimit rajonal e që nxisin izolacionizëm, politikën e kthimit prapa dhe që bazohen në populizëm në vend se të bazohen në vlerat e përbashkëta dhe standardet europiane, për fat të keq, nuk janë vetëm kujtime të largëta historike por përbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.