Arbëri

Limaj: Interesat e Kosovës nuk mbrohen nga një individ

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kjo parti është forca vendimtare në skenën politike të Kosovës, derisa ka shtuar se për shtatë vjet përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë dialoguar me Serbinë me duar në xhepa.

Në shënimin e 5 vjetorit të themelimit të Nismës në Gjakovë, Fatmir Limaj, tha se janë humbur tetë vjet duke biseduar me Serbinë dhe hapur çështje të rëndësishme për Kosovën.

“Ne kemi thënë në 2011 dialogun që e kemi filluar me Serbinë është gabim mënyra si e kemi filluar atë dialog, keni thënë në 2011 që po shkoni po bisedoni me Serbinë të papërgatitur me duar në xhepa, kemi thënë se me Serbinë nuk bisedohet në mënyrën qysh e keni nisur sepse e hapni statusin, kemi thënë që së pari Serbia duhet t’i plotësojë disa parakushte për të filluar bisedimet. Shtatë vjet kanë biseduar kanë trajtuar tema të ndryshme, e kanë negociuar emrin e Kosovës e mbi të gjitha në këto shtatë vjet asnjë temë serioze nuk është diskutuar për vendin tonë. Është dashur në 2018 e 2019 tani me i ngrit temat kryesore që janë më të dhimbshme për vendin tonë”, tha ai.

Ai tha e Nisma e ka ngritur zërin kundër krimeve që i mohon Serbia, e që të tjerët pak kanë folur për këtë temë, ndërkohë që sot po e përmendin pothuajse të gjithë.

Limaj tha se Nisma është ajo që më fund nxjerri rezolutën për dënimin e gjenocidit dhe krimeve në Kosovë.

“U kemi thënë kujdes me temat në të cilat futeni në bisedimet me Serbinë, çështje e ide të ndryshme që sot dalin në Kosovë nuk janë që kanë dalë dje, këto janë pasoja e shtatë-tetë viteve të një politike të papërgjegjshme që është zhvilluar në vendin tonë. Kosova, vendi, interesat tona nuk mbrohen nga individët, nuk jam unë shpëtimtar i Kosovës, nuk është as Nisma shpëtimtare e Kosovës, kjo është logjikë e mbrapsht. Kosova sot ka shtet, duhet të jenë institucionet e Kosovës mbrojtëse të interesave dhe shpëtimtare. Nuk mbrohet Kosova nga një individ, por mbrohet nga shteti, institucionet për të cilat kemi luftuar e sakrifikuar”, tha ai.

Në këtë tubim me bashkëpartiak dhe simpatizantë të Nismës Socialdemokrate, zëvendëskryeministri i Kosovës, tha se në Kosovë veç aeroporti nuk është i privatizuar.

“I vetmi send që nuk është privatizuar në Kosovë ka qenë Aeroporti i Prishtinës. Ka pas luftë me privatizu e nuk e kemi lejuar. Aeroporti i Prishtinës sot është vepra më e suksesshme konsensionale në rajon. Në sekondat e fundit e kemi shpëtuar mos me privatizu matrapazët”, tha ai.

Limaj tha se në pesë vitet e fundit në skenën politike të Kosovës nuk ka ndodhur asnjë gjë e rëndësishme pa idetë, rolin, angazhimin dhe energjitë e Nismës Socialdemokrate.

Ai tha se Nisma, prej themelimit ishte e vendosur të marrë vendime politike pa zhurmë, që sipas tij, janë dhjetëra ide të dhëna nga Nisma që pastaj janë bërë politikë shtetërore të vendit.

Në 5 vjetorin e themelimit të Nismës në Gjakovë, Limaj kërkoi nga bashkëpartiakët e tij mbështetje dhe punë, ndërkohë u zotua para tyre që rezultatet nuk do të mungojnë.

Ndërsa, Fazli Hoxha, kryetar i degës në Gjakovë tha se Nisma do të jetë adresë e mbrojtjes së kërkesave dhe interesave të qytetarëve të Gjakovës.

“Për këto pesë vite kemi zhvilluar takime të shumta me qytetarë nga të cilët kemi kuptuar se këtij vendi i duhet një parti politike sociademokrate e cila merret me hallet dhe problemet e qytetarëve. E kjo është Nisma Socialdemokrate në krye me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin”, tha ai.

Ai tha se angazhimi i Nismës në bashkëqeverisje në Gjakovë ka dhënë kontributin e saj për një mirëqenie më të mirë për qytetarët./KsP/