Arbëri

Kusari: PDK-ja deshi komisioner privatësie të vetin, dështoi

Descriptive Text

Flutura Kusari, juriste e së drejtës për medie, ka thënë se anulimi i konkursit për komisionerin për privatësi në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e të dhënave Personale, është lajm i mirëpritur për shoqërinë civile.

Ajo thotë se me anulimin e këtij konkursi janë ndalur punësimet pa meritë.

Kusari në “Express Intervista” të KTV-së ka thënë se, në listën e ngushtë kanë qenë dy kandidatë të përkrahur nga PDK-ja, e që sipas saj, ata nuk ishin të kualifikuar për atë pozitë.

“Arsyeja pse jam gëzuar është sepse është ndaluar punësimi pa meritokraci. Ne e dimë se të gjitha pozitat janë uzurpuar nga partitë në vend. Kanë qenë disa kandidatë që kanë aplikuar, katër prej tyre kanë qenë në listën e ngushtë dhe dy kanë qenë nga PDK-ja të cilët janë munduar t’i favorizojnë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se procesi që nga fillimi ka qenë jo transparent. Sipas Kusarit, PDK-ja është munduar t’i fusë njerëzit e saj në këtë Agjencion.

“Një nga kandidatët, Mentor Hoxhaj, ishte mbikëqyrës i Agjencisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe ai ka qenë pjesë e PDK-së dhe ka qenë e raportuar në medie se ka qenë pjesë e SHIK-ut. Jeton Arifaj dhe Bujar Sadiku janë persona që punojnë në Agjencion”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se komisioneri do të vendosë dhe do të zbatojë rregulla.

“Gjatë pesë viteve sa ka qenë Agjencion jofunksional, ka krijuar precedente negative. Kur kërkesat kanë qenë për institucione që janë udhëhequr nga PDK-ja, nuk kanë dhënë informacione. Misioni i tyre ka qenë në shërbim të PDK-së dhe tash është njëjtë. Me opinione është e qartë se ata janë në shërbim të PDK-së. Rast i veçantë janë faturat e shpenzimeve të qeveritarëve”, thotë ajo.

Ajo, ndër të tjera, ka thënë se kriteret e konkursit janë të tepruara pasi që, sipas saj, nuk janë të nevojshme pesë vjet përvojë menaxheriale.

“Një prej kritereve kryesore është se duhet me i pas 8 vjet përvojë punë dhe 5 përvojë menaxheriale. Komisionerit nuk i duhen pesë vjet përvojë menaxheriale. Konkursin e kanë shkruar në mënyrë që t’iu përshtatet kandidatëve të tyre”, ka thënë ajo.

Kusari thotë se kriteret e konkursit nuk mund të ndryshohen sepse duhet të ndryshohet ligji.

Ajo thotë se arsyeja pse partitë janë të interesuara në këtë konkurs është sepse komisioneri ka të drejtë edhe në shqiptimin e gjobave.

“Pse partitë janë të interesuara për këtë pozitë është se komisioneri ka të drejtë të shqiptojë gjoba deri në 40 mijë euro dhe kjo mund të shkojë deri në korrupsion”, ka përfunduar ajo.