Arbëri

Rreth 27 mijë nxënës të klasave të nënta nesër i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë

Foto: Koha

Nxënësit e klasave të nënta nesër do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë, ku me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.

Këtij testi do t’i nënshtrohen rreth 27 mijë nxënës ku do të mbahet në 110 qendra të testimit.

Testi do të përmbajë 100 pyetje, ndërsa edhe këtë vit nuk do të ketë kriter të kalimit, por pikët e arritura do të përdoren për regjistrim në shkollat e mesme.

Zyrtari për sigurimin e cilësisë, standarde, vlerësim dhe licencim në Ministrinë e Arsimit Fatmir Elezi, ka bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet që nesër të mbahet testimi.

“Tash jemi në finalizimin e të gjitha përgatitjeve për testin e klasave të nënta, pra Testin e Arritshmërisë dhe të gjitha testet janë në printim janë paketuar sipas klasave dhe nesër bëhet shpërndarja nëpër qendrat e testimit.. Nxënësit do të testohen në të gjithë Kosovën në 110 qendra të testimit, janë rreth 27 mijë nxënës në gjuhën shqipe dhe diku nga 300 në gjuhën turke dhe boshnjake”, tha ai.

Testi do të ketë 100 pyetje nga lëndët si gjuha shqipe, gjuha angleze, matematika, pyetje nga shkencat shoqërore dhe ato natyrore.

Elezi deklaroi se nuk do të ketë kriter kalimi, por që pikët e mbledhura u shërbejnë nxënësve për t’u orientuar në shkollimin e mesëm.

“Testi i klasës së nëntë nuk ka dallim nga testet e klasave të nënta të viteve paraprake, do të thotë nxënësit i nënshtrohen testit me 100 pyetje në total, ku përfshihen lëndët si gjuha shqipe, angleze, matematikë, informatika dhe lëndët e shkencave shoqërore dhe shkencave natyrore. Ky test nuk ka kriter të kalimit, nxënësit e marrin rezultatin në bazë të arritjeve që i arrijnë në test, pa marrë parasysh çfarë arritje kanë ato pikë i shënohen në dëftesat e shkollës”, tha ai.

Sa i përket administrimit të testit, ai bëri të ditur se është përgjegjësi e Drejtorive Komunale të Arsimit, por që edhe Ministria e Arsimit në çdo qendër do të ketë komisionar.

“Të gjithë akterët që janë të përfshirë në test e dinë që nuk lejohet asnjë lloj kopjimi. Mirëpo thënë të drejtën administrimi i testit të klasës së nëntë është i organizuar nga komunat, administruesit janë të caktuar nga komunat, MAShT-i i dërgon vetëm komisionarët nëpër qendrat e testimit. Çdo parregullsi që vërejmë do të merren masa nga MAShT-i për ato qendra ku nuk administrohet sipas kritereve që ne i caktojmë. Në çdo qendër është minimum një komisionar nga MAShT-i, njësoj është për çdo qendër është një përfaqësues i komunës dhe drejtori i shkollës ku mbahet testi”, u shpreh ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sipas Elezit pret që ky testim të jetë real dhe i besueshëm. Po ashtu, ai tha se presin që nxënësit të tregojnë njohuritë që kanë fituar gjatë shkollimi nëntëvjeçar.

“Për ne si ministri pritjet janë që nxënësit t’i kenë kushtet për të treguar njohuritë që kanë fituar gjatë nëntë viteve shkollim dhe t’iu ofrohen kushte dhe mundësi që të tregojnë dijen e vet. Pritet që të jetë një test real dhe i besueshëm, duhet kuptuar që ky nuk është një test garues po është një test ku nxënësit duhet të dëshmojnë njohuritë dhe shkathtësitë që i kanë fituar gjatë shkollimit nëntëvjeçar. Ky test përdoret për orientin në shkollat e mesme, rezultatet e testit i orientojnë nxënësit për regjistrim në klasën e 10”, deklaroi ai.

Testimi i nxënësve do të fillojë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 13:00, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet me 10 qershor./KsP/