Arbëri

KFOR-i thotë se të gjithë kanë qenë të njoftuar për aksionin e djeshëm, Vuçiqi mohon

Foto: Reuters

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka komentuar sërish aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës nëpër disa komuna, përfshirë edhe ato të veriut.

Grasso, në një deklaratë për televizionin serb “Përva”, ka thënë se situata aktuale është “nën kontroll”.

“Dje ka pasur pak tensione, por për fat ato kanë mbetur në lokacione të izoluara dhe janë kryer brenda ditës, dhe mund të them se është qetë”, ka thënë ai, raporton BBC në gjuhën serbe.

Sipas tij, pjesëtarët e KFOR-it e kanë përcjellë aksionin e djeshëm por nuk janë përzier pasi që aksioni ka qenë i Policisë së Kosovës dhe s’ka lidhje me mandatin e tyre.

“Policia e Kosovës është plotësisht përgjegjëse për zbatimin e sundimit të ligjit dhe kur ata i bëjnë këto detyre nuk kërkojnë leje shtesë”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Grasso thotë se aksioni është kryer pa ndonjë problem të madh, përjashto ato në komunën e Zubin Potokut dhe për pasojë, thotë ai, “nëse Policia e Kosovës nuk kërkon intervenimin tonë, ne nuk intervenojmë, përveç nëse situata është jashtëzakonisht e rëndë, kur kërcënohet paqja dhe stabiliteti”.

Ai shtoi se kërcënimi më i madh ndaj paqes dhe stabilitetit në Kosovë është “retorika e politikanëve dhe e mediave që përfshihen në të”.

Ndërkaq, zëdhënësi i KFOR-it, deklaroi po ashtu se komanda e KFOR-it e ka përcjellë vazhdimisht situatën në terren dhe ka shkëmbyer informata.

“Kemi qenë në kontakt edhe me qeveritarët serbë. Të gjithë kanë qenë të njoftuar paraprakisht për operacionet dhe s’ka pasur befasi”, shtoi ai.

Duke folur në lidhje me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se batalioni hungarez i KFOR-it ka dashur të intervenojë gjatë ditës së djeshme, Grasso tha: “Kjo s’ka ndodhur. Batalioni hungarez është pjesë e KFOR-it dhe s’ka ardhur puna deri tek tentimi për intervenim pa lejen e KFOR-it. Ata ishin të gatshëm për intervenim, por nuk kanë tentuar të intervenojnë”, theksoi Vincenzo Grasso.

Ndërkaq, Vuçiqi, i pyetur në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it se kërcënimi më i madh i paqes në Kosovë është retorika e liderëve dhe keqpërdorimi i mediave, dhe se “të gjithë kanë qenë të njoftuar paraprakisht” për aksionin e djeshëm policor, kërkoi nga KFOR-i që të ofrojë të dhëna publike se kë e kanë njoftuar.

“KFOR-i s’po e thotë të vërtetën. Ne kemi marrë informacione për këtë aksion më 15 maj dhe më 17 maj kam dalë publikisht me këtë informacion dhe me kërkesën që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuçiqi, transmeton B92 raportimin e “Tanjugut”.

“I bëj thirrje zëdhënësit të KFOR-it le të tregojë se kë e ka njoftuar. Dje në një koment, komandanti i KFOR-it nuk ka dashur të lajmërohet as shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, e pastaj as ne nuk deshëm të lajmëroheshim. Ata u bënë të gjallë vetëm rreth orës 11.30 kur i paralajmëruar për ngjarjet. Kur gjendja ishte më e rënda, s’pati kontakte”, tha ai.