Arbëri

Inspektorati kthen në punë asistenten e Juridikut, Nita Shalën

Nita Shala përfundimisht do të jetë pjesë e stafit të brendshëm të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajo tashmë ka nisur ligjërimin në katedrën e Penales, pasi Inspektorati i Punës i shkallës së dytë ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë që i kishte dhënë të drejtë kundër-kandidatit të saj Triumf Sadikaj, ishte i paligjshëm.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se pas afatit ligjor, inspektori në shkallën e parë ka pranuar ankesën e Sadikajt, i cili është vëllai i bashkëshortes së dekanit të Juridikut, Haxhi Gashi.

Kohavisioni kishte raportuar se si dekani i Juridikut, Haxhi Gashi, kontestonte përzgjedhjen e asistentes Nita Shala, me qëllimin e vetëm që në këtë pozitë ta rehatonte mikun e tij, Triumf Sadikaj, në Katedrën e Penales.

Vetë asistentja Shala është e lumtur që më në fund e ka mundësinë që njohuritë e saj të shumta të marra në universitete ndërkombëtare, mund t’i përcjellë te studentët.

Tani i mbetet Inspektoratit të Punës që ta shqyrtojë afatin e dorëzimit të ankesës së Sadikajt dhe pritet të marrë një vendim të ri.

Ndërkaq, Shala për të nënshkruar kontratën me UP-në dha dorëheqje nga pozita e këshilltares në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri.