Arbëri

Murtezaj: Bizneset i kanë borxh ATK-së rreth 350 milionë euro

Biznese të ndryshme i kanë mbetur borxh Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 350 milionë euro, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Murtezaj.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për grumbullimin e tatimeve në pjesën veriore të vendit.

Ai thotë se, në Administratën Tatimore të Kosovës në vazhdimësi ka pasur borxhe të pambledhura, ku tatimpaguesit e ndryshëm që kanë pasur vështirësi financiare, i kanë mbetur borxh ndaj ATK-së.

“Aktualisht, shuma e borxhit që bizneset kanë ndaj ATK-së është rreth 350 milionë euro, shumë kjo përtej limitit të lejuara ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim, ne kemi bërë sforcimet tona për të respektuar ligjin fillimisht, pastaj edhe për të inkasuar këto borxhe”, thotë ai.

Sipas Murtezajt, për 10 vjet radhazi nuk ka pasur masa të konfiskimit, ndërsa vetëm në dy muajt e fundit, si rezultat i veprimeve shtesë që kanë realizuar, janë zhvilluar 110 raste të proceseve të konfiskimeve, raste këto që kanë rezultuar me inkasim të borxheve në vlerë prej 2.6 milionë eurosh.

“Ky proces do të vazhdojë edhe më fuqishëm në drejtim të realizimit ose inkasimit të borxheve të papaguara.E gjithë pasuria që mund të jetë e tatimpaguesit, me ligj ne e kemi të lejuar të konfiskojmë atë pasuri (çfarë do qoftë ajo, pajisje, inventar apo edhe mall për konsum), me qëllim të shlyerjes ose kompensimin me borxhin që kanë ndaj ATK-së”, ka shtuar ai.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë