Arbëri

Daçiq shpëton nga një sulm terrorist në Somali, po lobonte kundër Kosovës

Descriptive Text

Derisa ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, po lobonte që shteti somalez të tërhiqte njohjen e pavarësisë së Kosovës, afër ndërtesës presidenciale, ku ai po zhvillonte një takim me presidentin e Somalisë, ndodhi një sulm terrorist.

Bomba-automobil shpërtheu afër postbllokut të sigurisë në afërsi të pallatit presidencial derisa ushtarët po e verifikonin automjetin në rrugën kryesore.

Në këtë sulm vetëvrasës ditën e djeshme mbetën të vdekur së paku 9 persona, në mesin e të cilëve edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Somalisë, u lënduan mbi 13 persona, ndërsa shumica e të vdekurve ishin ushtarë, ka njoftuar policia, raporton AP, transmeton Koha.net.

Delegacioni i Serbisë ka qëndruar për dy ditë në Somali, ndërsa në ditën e fundit të kësaj vizite, ministri serb Daçiq u takua me presidentin e këtij shteti, Mohamed Abdullahi Mohamed, i njohur edhe si Farmajo.

Ish-shefi i diplomacisë somaleze, Hussein Elabe Fahiye, i cili vdiq në këtë sulm, ishte këshilltar i presidentit aktual.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi ekstremist somalez Al Shabab, duke theksuar se cak kishin automjetet me zyrtarë qeveritarë.

Ndërsa, sipas një njoftimi për media të MPJ-së serbe gjatë ditës së djeshme, u tha se presidenti somalez i ka thënë Daçiqit se qeveria e tij do t’i rishikojë dhe t’i anulojë vendimet e qeverisë tranzicionale që, siç shkruan kjo Ministri, “nuk kanë asnjë legjitimitet”, përfshirë edhe vendimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.