Arbëri

Erdogan i telefonon Metës, e fton për vizitë në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka uruar përzemërsisht Presidentin e zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, njofton kabineti i këtij të fundit.

“Në një bisedë telefonike, z. Erdoğan e uroi z. Meta për detyrën e re, duke e ftuar për një vizitë zyrtare në Turqi. Krahas kësaj, z. Erdoğan e ka falënderuar z. Meta për rolin që ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, nga ana e tij, Meta shprehu besimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Shpreh besimin për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Rajoni përballet me sfida të mëdha stabiliteti e sigurie që kërkojnë përgjegjshmëri e përkushtim. Miqësia mes Shqipërisë dhe Turqisë është e rëndësishme për tërë rajonin”, citohet të ketë thënë Meta gjatë bisedës telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.